Të premten në mbrëmje, në qytetin e Novi Sadit, shpërthyen përleshje të dhunshme gjatë një proteste studentore. Demonstruesit goditën me gurë dhe shishe forcat e rendit jashtë Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Novi Sadit, ndërsa policia reagoi me gaz lotsjellës.

Studentët akuzojnë qeverinë për korrupsion dhe kërkojnë përgjegjësit për shembjen tragjike të një tende betoni në stacionin hekurudhor të qytetit në nëntor të vitit të kaluar, ku humbën jetën 16 persona. Prej muajsh, protestat janë shtrirë në Beograd dhe qytete të tjera, duke përfshirë edhe bllokimin e institucioneve arsimore.

Përplasja e së premtes nisi kur protestuesit kërkuan tërheqjen e forcave të policisë nga kampusi i Fakultetit të Filozofisë, të vendosura aty me vendim të dekanit Milivoj Alanovic. Grupi aktivist Blokada FFUNS, organizator i demonstratës, akuzoi dekanin për abuzim me pushtetin.

Sipas mediave serbe, disa persona u arrestuan, ndërsa Blokada FFUNS raportoi se një student u plagos në këmbë nga një plumb gome. Drejtori i Policisë, Dragan Vasiljevic, deklaroi se forcat ndërhynë pas raportimeve për një “sulm ndaj sigurisë së kampusit”. Ai shtoi se “të gjithë qytetarët duhet të respektojnë ligjet dhe rregulloret e vendit”.

Protestat e vazhdueshme kanë sjellë tashmë dorëheqjen e kryeministrit Milos Vuçeviç dhe arrestimin e disa zyrtarëve, mes tyre edhe një ish-ministër i Tregtisë, të akuzuar për korrupsion. Ndërkohë, presidenti Aleksandar Vuçiç ka akuzuar faktorë të jashtëm për nxitjen e trazirave, duke i cilësuar ato si “dhunë e maskuar si aktivizëm”.