Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar se do të përdorë Aktin e Kryengritjes për të vendosur forca ushtarake në Minesota, pas disa ditësh protestash të ashpra në Minneapolis lidhur me rritjen e pranisë së agjentëve federalë të imigracionit.

Trump ka sulmuar ashpër udhëheqësit demokratë të shtetit dhe ka përdorur gjuhë fyese ndaj komunitetit somalez në zonë, duke i quajtur ata “mbeturina”. Në një postim në rrjetet sociale, presidenti paralajmëroi se do të ndërhyjë drejtpërdrejt nëse autoritetet lokale nuk veprojnë.

“Nëse politikanët e korruptuar të Minesotës nuk zbatojnë ligjin dhe nuk i ndalojnë agjitatorët dhe kryengritësit profesionistë të sulmojnë patriotët e ICE-së, të cilët po përpiqen vetëm të bëjnë punën e tyre, unë do të miratoj AKTIN E KRYENGRITJES,” shkroi Trump, duke iu referuar Shërbimit të Imigracionit dhe Doganave (ICE).

Sipas autoriteteve federale, rreth 3,000 oficerë federalë janë dërguar tashmë në zonën e Minneapolis, shumë prej tyre të armatosur, të veshur me uniforma në stil ushtarak dhe me maska që u mbulojnë fytyrat. Prania e tyre ka shkaktuar përplasje të vazhdueshme me banorët lokalë, të cilët kanë protestuar me bilbila, daulle dhe thirrje kundërshtuese.

Zemërimi publik është rritur ndjeshëm pas vrasjes së Renee Good, një shtetase amerikane, e cila u qëllua për vdekje nga një agjent i ICE-së tetë ditë më parë. Protestat janë përhapur edhe në qytete të tjera të SHBA-së.

Sipas ‘Reuters’, kërcënimi i fundit i Trump erdhi vetëm disa orë pasi një tjetër oficer imigracioni qëlloi një burrë venezuelian në Minneapolis, i cili, sipas autoriteteve, po largohej nga një kontroll trafiku. Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) deklaroi se gjatë incidentit dy persona sulmuan oficerin federal me një fshesë dhe një lopatë bore, ndërsa ai po përleshej me shtetasin venezuelian, i cili sipas DHS-së ndodhej ilegalisht në SHBA. Reuters tha se nuk ishte në gjendje të verifikonte në mënyrë të pavarur këto pretendime.

Akti i Kryengritjes i vitit 1807 i jep presidentit të SHBA-së të drejtën të vendosë ushtrinë ose të federalizojë Gardën Kombëtare të një shteti për të shtypur rebelime apo trazira civile. Ky ligj përbën një përjashtim nga rregullat që zakonisht ndalojnë përdorimin e forcave ushtarake për zbatimin e ligjit civil. Sipas Qendrës Brennan për Drejtësi të Universitetit të Nju Jorkut, akti është përdorur rreth 30 herë në historinë e SHBA-së dhe Gjykata Supreme ka vendosur se vetëm presidenti ka autoritetin të vlerësojë nëse plotësohen kushtet për zbatimin e tij.

Masat agresive të Trump në Minesota kanë ndarë edhe mbështetësit e tij. Sipas një sondazhi të Reuters/Ipsos të publikuar të enjten, 59% e republikanëve mbështesin një politikë që u jep përparësi arrestimeve nga oficerët e imigracionit edhe nëse njerëzit lëndohen, ndërsa 39% mendojnë se oficerët duhet të fokusohen në minimizimin e dëmeve ndaj civilëve, edhe nëse kjo do të thotë më pak arrestime.