Protestat e zhvilluara nga të rinjtë në disa vende europiane, me kërkesa për përmirësimin e arsimit dhe uljen e kostos së jetesës, janë shoqëruar me incidente të dhunshme, përplasje me policinë, grabitje dhe dëme të shumta materiale.

Demonstratat përfshinë Francën, Gjermaninë, Zvicrën, Portugalinë dhe Shqipërinë, ndërsa bilanci i trazirave ka qenë i rëndë në disa prej këtyre shteteve.

Në Francë, rreth 320 mijë persona dolën në protesta të shtunën, në qytete si Parisi, Marseja, Grenobla, Bordoja, Lioni dhe Tuluzë. Autoritetet kanë arrestuar më shumë se 770 persona, ndërsa Prokuroria e Parisit ka nisur një hetim për tentativë vrasjeje ndaj personave që ushtrojnë autoritet publik. Shkak është bërë hedhja e mjeteve ndezëse në drejtim të një grupi xhandarësh dhe efektivësh policie.

Situata ka qenë veçanërisht e tensionuar edhe në Gjermani. Në Frankfurt, persona të maskuar kanë dëmtuar 17 dyqane dhe kanë grabitur pesë prej tyre. Gjatë përplasjeve janë plagosur më shumë se 100 efektivë policie. Ndërkohë, mbi 100 mijë persona marshuan në më shumë se 30 qytete gjermane, në kuadër të fushatës “Gen Z regelt”, duke kërkuar reforma në arsim dhe lehtësim të kostos së jetesës.

Përplasje janë regjistruar edhe në Portugali, ku policia ndërhyri për të shpërndarë kampet e protestuesve në Lisbonë dhe Porto. Demonstruesit kundërshtojnë ndryshimet e propozuara në legjislacionin e strehimit, të cilat sipas tyre rrezikojnë të drejtat e qiramarrësve.

Ndërsa në Zvicër, protestat në Cyrih dhe Bazel përfunduan me incidente mes demonstruesve dhe forcave të sigurisë. Policia përdori gaz lotsjellës, topa uji dhe plumba gome, pasi protestuesit hodhën gurë, shishe dhe fishekzjarrë drejt efektivëve. Dëme u raportuan në dyqane, automjete dhe biçikleta, ndërsa incidente pati edhe në Gjenevë.

Edhe Shqipëria është përfshirë në valën e protestave, ku të rinjtë kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, në lidhje me akuzat për korrupsion. Tubimet janë shoqëruar me përplasje me Policinë e Shtetit, hedhje gurësh dhe bombash molotov, si dhe djegie të koshave të mbeturinave.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme të cituara në raportim, gjatë protestave në Shqipëri janë plagosur 350 persona, mes tyre 200 efektivë policie, ndërsa janë arrestuar 269 të mitur.