Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se po planifikon të tërhiqet nga posti i kreut të shtetit në një të ardhme të afërt, duke mos përjashtuar mundësinë e dorëheqjes edhe më herët se sa është përmendur më parë. Në një intervistë për “Radio Beogradi”, Vuçiç u pyet nëse do të largohej nga posti brenda tre apo katër muajsh, ndërsa ai u përgjigj shkurt: “Ndoshta edhe më herët.” Ai shtoi se ka nisur tashmë përgatitjet për largimin nga Presidenca, duke përdorur një shprehje simbolike për situatën e tij aktuale.
“Kam filluar të paketoj librat në Presidencë. Kam shumë libra dhe po shoh se ku t’i vendos”-, u shpreh Vuçiç.
Presidenti serb tha gjithashtu se po mendon çdo ditë për mundësinë e kandidimit për postin e kryeministrit, ndërsa theksoi se ka edhe angazhime të tjera politike në vijim. Duke folur për procesin zgjedhor, Vuçiç deklaroi se zgjedhjet në Serbi pritet të mbahen brenda tre deri në katër muajve, duke përjashtuar muajt korrik dhe gusht për organizimin e tyre.
“Zgjedhjet do të jenë për tre ose katër muaj. Nuk do të mbahen as në korrik dhe as në gusht”- tha ai, duke shtuar se çështja e shpalljes së tyre mbetet ende e hapur.
Sipas mediave serbe, deklaratat janë bërë gjatë intervistës së tij në “Radio Beograd” më 10 qershor 2026, ku Vuçiç sqaroi se nuk bëhet fjalë për shkurtim mandati, por për mundësinë e dorëheqjes nga posti presidencial.
