Një ditë pas protestave masive të studentëve në Francë, mësimi ka rifilluar në shumicën e shkollave të mesme, por një pjesë e konsiderueshme e tyre vijon të jetë e mbyllur ose pjesërisht e bllokuar. Sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet franceze, rreth 86% e shkollave kanë hapur dyert. Kjo do të thotë se një në shtatë shkolla mbetet plotësisht ose pjesërisht e mbyllur, megjithëse situata është përmirësuar krahasuar me një ditë më parë.

Mediat e huaja bëjnë me dije, në Paris, disa shkolla vijojnë të jenë të pushtuara nga nxënësit, ndërsa hyrjet në disa prej tyre janë bllokuar me kosha mbeturinash. Protestat, të nisura në mesin e shtatorit në periferi të Parisit, lidhen kryesisht me kushtet e këqija të ndërtesave shkollore, klasat e mbipopulluara dhe mungesën e mësuesve, veçanërisht në zonat me të ardhura më të ulëta.

Qeveria kërkon dialog

Qeveria franceze po përpiqet të ulë tensionet duke u bërë thirrje studentëve dhe stafit arsimor të rikthehen në shkolla dhe të zhvillojnë dialog për problemet konkrete të çdo institucioni. Kryeministri pritet t’i drejtohet publikut për situatën në shkollat e mesme, ndërsa ministrat e Brendshëm dhe të Arsimit do të raportojnë për krizën përpara parlamentit. Në të njëjtën kohë, sindikatat studentore dhe ato të mësuesve kanë paralajmëruar protesta të reja në Paris dhe qytete të tjera.

Përplasje dhe të plagosur

Situata është rënduar edhe nga përplasjet mes protestuesve dhe policisë. Autoritetet kanë hapur hetime për raste të përdorimit të forcës, ndërsa qeveria ka njoftuar ndryshime në përdorimin e disa mjeteve të ndërhyrjes policore. Sipas shifrave të bëra publike, që nga fillimi i protestave janë plagosur qindra persona, përfshirë studentë, pjesëtarë të stafit arsimor dhe efektivë policie. Ndërsa qeveria kërkon ta zhvendosë situatën drejt dialogut, sindikatat studentore e kundërshtojnë këtë qasje, duke e konsideruar një përpjekje për të fituar kohë. Protestat pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim