Pas disa ditësh në protesta, fermerët grek i dërguan listën e kërkesave të tyre qeverisë dhe kryeministrit Kyriakos Mitsotakis.
Ndër kërkesat kryesore janë vendosja e çmimeve minimale të garantuara për produktet bujqësore, energjia elektrike për bujqësinë me çmim 7 cent për kilovat/orë, si dhe refuzimi i integrimit të OPEKEPE në Autoritetin e të Ardhurave Publike (AADE). Kujtohet se, pavarësisht thirrjeve të qeverisë, fermerët refuzuan ftesën e kryeministrit për dialog me përfaqësuesit e tyre në Pallatin Maximos pasditen e së hënës.
Ata deklarojnë se do t’i kalojnë festat në bllokadat rrugore, duke kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre, ndërsa paralajmërojnë intensifikim të protestave.
Kërkesat e fermerëve
- Ndërprerja e represionit shtetëror, autoritarizmit dhe gjykimeve ndaj fermerëve; shfuqizimi i të gjitha çështjeve penale që lidhen me protestat, me vendim të Parlamentit.
- Pagesa e menjëhershme e të gjitha detyrimeve financiare që qeveria u ka fermerëve.
- Çmime minimale të garantuara që mbulojnë koston e prodhimit dhe sigurojnë të ardhura të qëndrueshme.
- Ulje e kostos së prodhimit: naftë pa taksa, energji elektrike bujqësore me tavan çmimi 7 cent/kWh, shfuqizim i bursës së energjisë, subvencione për inputet bujqësore dhe heqje e TVSH-së.
- Kompensim i humbjes së të ardhurave për vitin 2025 për produktet që shiten nën koston e prodhimit.
- Projekte infrastrukturore për bujqësinë (ujitje, mbrojtje nga përmbytjet dhe zjarret, rrugë bujqësore).
- Ndryshim i rregullores së ELGA-s për sigurim dhe kompensim 100% nga fatkeqësitë natyrore dhe sëmundjet.
- Lidhja e subvencioneve me prodhimin real bujqësor dhe blegtoral.
- Shfuqizimi i ATAK–KAEK për toka nën 20 dynymë dhe pagesa e menjëhershme e të gjitha AFM-ve të bllokuara.
- Ndalimi i importeve masive dhe i “grekizimit” të produkteve të huaja.
- Ngrirje e borxheve ndaj institucioneve shtetërore dhe bankave, me shlyerje pa interes.
- Pa ulje të fondeve të Politikës së Përbashkët Bujqësore (CAP).
- Shfuqizimi i fletës elektronike të transportit nga ara.
- Dyfishim i menjëhershëm i pensioneve bujqësore.
Në mënyrë të veçantë, fermerët theksojnë dy çështje urgjente:
- -Sëmundjet në blegtori, me vaksinim, kompensim të plotë për kafshët e asgjësuara dhe rindërtim falas të tufave.
- -Skandali OPEKEPE, me kërkesë për kthimin e fondeve të përvetësuara tek përfituesit realë, zbardhjen e përgjegjësive politike dhe penale dhe refuzimin e integrimit të institucionit në AADE.


