
Protestat në Bjellorusi kanë shkaktuar debate të ethshme rreth një tranzicioni të mundshëm të pushtetit në Minsk. Por pyetja se kush do të zëvendësojë sundimtarin prej tre dekadash të vendit Alexander Lukashenko, dhe të sigurojë mbështetjen e shumicës së bjellorusëve, nuk ka një përgjigje të qartë.
Pas 30 vitesh regjimi autokratik, Bjellorusia nuk ka ende një forcë të organizuar politike pro-demokracisë. Kjo e bën të vështirë të parashikosh se kush mund të dalë si një udhëheqës i mundshëm. Tre figurat më të njohura të opozitës në prag të zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit – Viktor Babariko, Valery Tsepkalo dhe Sergei Tikhanovsky, të përfaqësuar më vonë nga gruaja e tij Svetlana – një vit më parë as që konsideroheshin pretendentë të mundshëm.
Po të largohej Lukashenko ose të binte dakord për zgjedhje të lira dhe të ndershme, do t`i hapej rruga drejt pushtetit dhjetëra kandidatëve të tjerë të mundshëm. Por disa dalin në pah më shumë se të tjerët.
Pro-rusët
Oleg Gaidukevich, deputet që përfaqëson Partinë Liberal Demokratike të Bjellorusisë, edhe pse iu bashkua fushatës së rizgjedhjes së Lukashenkos, ka qenë kritik ndaj trajtimit të dhunshëm të protestuesve dhe anëtarëve të opozitës pas zgjedhjeve. Ai njoftoi krijimin e Lëvizjes Patriotike Popullore të Bjellorusisë, një parti qëllimi kryesor i së cilës është të ruajë lidhjet me Rusinë dhe Organizatën e Traktatit të Sigurisë Kolektive, aleanca ushtarake e shteteve post-Sovjetike.
Viktor Babariko është një menaxher banke me pikëpamje pro-ruse i cili synonte të kandidonte në zgjedhjet presidenciale por u ndalua edhe pse arriti të mblidhte më shumë se 300,000 firma.
Valery Tsepkalo, pretendenti presidencial që u arratis në Europë përmes Moskës, është gjithashtu një mundësi. Ai shkroi një letër të hapur presidentit rus duke i kërkuar që të ndalonte mbështetjen e Lukashenkos (dhe gjithashtu u bëri apel udhëheqësve perëndimorë për të mbështetur protestat).
Pro-europianët
Eurofili ka të ngjarë të jenë pjesë e opozitës tradicionale dhe të kenë lidhje me institucionet europiane, përfshirë grupet dhe fraksionet më të fuqishme të Parlamentit Europian. Disa pretendentë mes tyre mund të jenë: Andréi Sánnikov, një ish-zëvendës ministër i jashtëm i internuar dhe ish-kandidat presidencial i cili është udhëheqësi i nismës së Bjellorusisë Europiane; Alexander Milinkevich, një tjetër ish-kandidat presidencial dhe udhëheqës i lëvizjes Për Liri; dhe Anatol Lyabedzka, ish-kreu i Partisë së Bashkuar Civile. Një tjetër pretendente e mundshme është Volha Kavalkova, një figurë politike e brezit të ri që po vuan 10 ditë burg për rolin e saj në organizimin e protestave dhe ka lidhje të forta në Bruksel dhe kryeqytetet e tjera europiane.
Nacionalistët
Në rrethana të tjera, këta kandidatë do të quheshin “patriotë”. Por pas dekadave të tëra të dominimit në gjuhën ruse në arsim, biznes dhe qeveri, kushdo që mbron identitetin dhe gjuhën bjelloruse ka të ngjarë të portretizohet si ekstremist (ose në gjuhën e disa figurave pro-Kremlinit, një “nazist”).Kandidatët më të mundshëm këtu janë politikani në mërgim Zianon Pazniak, një anti-rus që sheh dorën e Kremlinit në shumicën e lëvizjeve aktuale të opozitës dhe figurave kryesore.
Një tjetër kandidat i mundshëm është Pavel Seviarynets, një politikan karizmatik dhe demokrat i mirënjohur i krishterë i cili ka luajtur një rol aktiv në lëvizjet pro-Bjelloruse që nga mesi i viteve 1990 dhe garoi në zgjedhjet presidenciale të vitit 2010. Është dhe Pavel Latushko, një ish-ministër i kulturës dhe ish-ambasador në Poloni dhe Francë. Ai doli hapur kundër Lukashenkos pas zgjedhjeve të gushtit dhe është bërë një figurë e shquar në protesta, si dhe një anëtar i bordit të Këshillit Koordinues të opozitës.
Një tjetër kandidate është edhe ish deputetja dhe nënkryetarja e Shoqatës së Gjuhës Bjelloruse Alena Anisim, një avokate e zëshme që ka dalë hapur kundër Lukashenkos.