Ndeshja mes Paris Saint-Germain dhe Barcelonës, e programuar në stadiumin “Parc des Princes”, do të zhvillohet sipas kalendarit, pavarësisht situatës së tensionuar në Francë.
Vendimi është konfirmuar nga ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, pas një takimi urgjent me përfaqësues të qeverisë dhe autoritetet përgjegjëse për sigurinë.
Protestat dhe incidentet e dhunshme të ditëve të fundit kanë shtuar shqetësimet për rendin publik, ndaj pritet të ketë masa të shtuara sigurie si brenda stadiumit, ashtu edhe në zonat përreth tij.
Gjatë deklaratës së tij, Nuñez bëri të ditur se autoritetet kishin shqyrtuar mundësinë e anulimit të disa aktiviteteve, përfshirë ngjarje sportive. Megjithatë, kjo mundësi nuk përfshin përballjen e Champions League mes PSG-së dhe Barcelonës.
Sipas ministrit, edhe ndeshjet e tjera europiane të planifikuara gjatë javës do të zhvillohen sipas programit. Mes tyre është edhe sfida Lille–Galatasaray, e cila do të luhet të mërkurën në Lilë, qytet ku gjatë fundjavës u raportuan incidente dhe grabitje në disa dyqane.
Ndërkohë, trajneri i PSG-së, Luis Enrique, u pyet për ndikimin që situata në vend mund të ketë te skuadra përpara kësaj përballjeje të rëndësishme.
Tekniku spanjoll theksoi se ekipi duhet të ruajë përqendrimin te futbolli, duke dënuar njëkohësisht aktet e dhunës.
“Unë jam këtu për të folur për futbollin. Sigurisht që nuk e miratojmë këtë dhunë, por, për fat të keq, ajo është pjesë e shoqërisë së sotme. Duhet thjesht të qëndrojmë të përqendruar te ndeshja”, u shpreh ai.
Përballja mes PSG-së dhe Barcelonës është një nga takimet më të rëndësishme të javës në Champions League. Përveç rivalitetit sportiv, vëmendja do të jetë edhe te masat që autoritetet franceze do të marrin për të garantuar zhvillimin normal të ndeshjes.
Për momentin, vendimi mbetet që takimi të luhet sipas planit, ndërsa siguria do të jetë në fokus për shkak të situatës së krijuar nga protestat.
