Nepali është përfshirë nga protesta të dhunshme, ku qytetarë të zemëruar kanë sulmuar ministrat e qeverisë, duke i zhveshur dhe detyruar të ecin lakuriq në lumë. Ngjarja tronditëse ka ndodhur në kryeqytetin Kathmandu, ku turmat kanë djegur ndërtesa qeveritare dhe kanë sfiduar shtetrrethimin.
Në një video që është bërë virale në rrjetet sociale, shihet ministri i Financave i zhveshur duke ecur në lumë, ndërsa një protestues e godet me kamzhik, dhe turma brohoret nga larg.
Protestat nisën pas bllokimit të rrjeteve sociale, por shumë shpejt u shndërruan në një revoltë të madhe kundër korrupsionit, papunësisë dhe mungesës së shpresës për të ardhmen, veçanërisht tek të rinjtë. Turmat dogjën Parlamentin, Gjykatën e Lartë dhe selinë e qeverisë.
Sipas autoriteteve, të paktën 22 persona kanë humbur jetën, dhe qindra janë plagosur. Policia ka përdorur gaz lotsjellës, ujë me presion dhe armë zjarri për të shpërndarë protestuesit. Në rrugët e qytetit është vendosur ushtria.
Shumë prej protestuesve janë të rinj nga brezi Gen Z, të cilët thonë se janë lodhur nga premtimet bosh të politikanëve. Ata kërkojnë ndryshim të sistemit dhe më shumë mundësi për jetesë.
Kjo është një nga valët më të mëdha të dhunës në Nepal që nga viti 2008, kur vendi shpalli Republikën. Autoritetet po hetojnë situatën, por tensionet vazhdojnë të jenë të larta.