Një dron rus i tipit “Gerbera” është zbuluar pothuajse i paprekur në një fushë pranë fshatit Czosnówka në lindje të Polonisë, duke shkaktuar shqetësime të mëdha në vendin anëtar të NATO-s. Tre analistë të sigurisë, të kontaktuar nga BBC, kanë konfirmuar se bëhet fjalë për një mjet ajror pa pilot që Rusia e përdor shpesh për të shpërqendruar sistemet e mbrojtjes ajrore, sidomos gjatë sulmeve të mëdha ndaj Ukrainës.
Zyrtarët polakë deklaruan të mërkurën se 19 dronë rusë kanë hyrë në hapësirën ajrore të Polonisë gjatë natës. Disa prej tyre u rrëzuan ose ndaluan në mënyrë të pashpjegueshme, përfshirë dhe dronin “Gerbera” që u gjet i paprekur.
Justin Crump, shefi i kompanisë së inteligjencës Sibylline, u shpreh se ky model droni është një mjet i lirë, por shumë efektiv për të testuar dhe konsumuar kapacitetet mbrojtëse të vendeve që ndodhen pranë konfliktit.
Sipas Justin Bronk, analist në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara (RUSI), fakti që disa prej dronëve mbetën të paprekur tregon se mund t’u ketë mbaruar karburanti, por edhe se inkursioni ishte i qëllimshëm, si një test për gatishmërinë ushtarake të NATO-s.
Analistët bien dakord se përdorimi i këtyre dronëve sidomos në kufijtë e një vendi të NATO-s nuk është rastësor. Shkalla e hyrjes në hapësirën ajrore të Polonisë sugjeron një mesazh të koduar nga Rusia, në një moment kur tensionet mes Moskës dhe Perëndimit janë gjithnjë në rritje.
Për momentin, autoritetet polake po hetojnë ngjarjen dhe nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar për qëllimin e këtij akti. Por për analistët perëndimorë, ky incident mund të shënojë një fazë të re të luftës hibride që Rusia po zhvillon ndaj Ukrainës dhe vendeve fqinje.