Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, ka dënuar ashpër shkeljen e hapësirës ajrore të Estonisë nga tre avionë luftarakë rusë MiG-31, duke e cilësuar si “një provokim jashtëzakonisht të rrezikshëm”.
“Ky është rasti i tretë i shkeljes së hapësirës ajrore të BE-së brenda pak ditësh dhe kontribuon në rritjen e tensioneve në rajon. BE-ja shpreh solidaritetin e saj të plotë me Estoninë.
Jam në kontakt të ngushtë me qeverinë estoneze dhe do të vazhdojmë të mbështesim shtetet tona anëtare në forcimin e mbrojtjes së tyre me burime evropiane. Putini po e vë në provë vendosmërinë e Perëndimit. Ne nuk duhet të tregojmë dobësi,” u shpreh Kallas.
Ngjarja ndodhi pak orë pasi Talini njoftoi se tre avionë rusë kishin hyrë në hapësirën ajrore të Estonisë për 12 minuta, duke rritur tensionet në kufijtë lindorë të NATO-s dhe BE-së.