Tensionet mes Greqisë dhe Turqisë përherë kanë qenë prezente dhe kanë prodhuar tone të ngritura si nga Ankaraja dhe Athina, deri në kërcënime për përplasje ushtarake.
Pas një periudhe të gjatë, ku dukej se paqja u rivendos me takimet dypalëshe të liderëve Rexhep Taip Erdogan dhe Qiriakos Micotaqis, ka mjaftuar një postim në ‘X’ për të ndezur shkëndijat.
Forcat Ajrore të Greqisë në faqen zyrtare të tyre në rrjetet sociale, shpërndanë foto të aeroplanëve C 130 të Forcave të Armatosura Turke të ulur në një pistë, pak pas urdhrit për kontrollin e të gjithë flotës që Ankaraja posedon, pasi një prej këtyre avionëve u rrëzua në Gjeorgji, e ku humbën jetën 20 ushtarë.
“Fotoja e ditës” ishte mbishkrimi mbi postimin provokues të Forcës Ajrore Helene, me postimin që u kritikua ashpër në rrjet.

Postimi fillestar nga Forcat Ajrore Helene u bë më 5 nëntor dhe u përsërit më 11 nëntor përpara se të “hiqej” dhe më pas u postua mesazhi i ngushëllimit nga Shefi i Forcave Ajrore Helene drejtuar homologut të tij turk.
Sipas raportimeve, ministri grek i Mbrojtjes Nikos Dendias kontaktoi ambasadorin turk në Greqi për të qetësuar situatën.

Ndërkohë, zëdhënësi i partisë së Erdoganit, Omer Celik shkroi në një postim në X: “Ne dënojmë mesazhin e shëmtuar të Forcave Ajrore Greke për martirët tanë, i cili është larg çdo vlere humanitare dhe ushtarake, duke ndarë foton e një aeroplani transporti C130“.
“Ishte qasja e duhur të hiqej ky mesazh dhe të zëvendësohej me një mesazh ngushëllimi për martirët tanë. Në kohë tërmetesh dhe fatkeqësish, ne nxitojmë të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe të ndajmë dhimbjen. Kjo është gjëja e duhur për t’u bërë. Ne presim që të merren masat e nevojshme kundër atyre që publikuan këtë mesazh të shëmtuar dhe të vendosen ndëshkimet e nevojshme“, shtoi ai.

Aeroplani C 130 i humbur, i ngritur nga Azerbajxhani për në Turqi, u zhduk nga radari vetëm 27 minuta pas ngritjes dhe u gjet më vonë në një zonë malore të komunës Signagi, në regjionin Kakheti të Gjeorgjisë. Tragjikisht 20 ushtarët në bord humbën jetën.
Trupat e dëshmorëve u kthyen në Turqi mbrëmë me aeroplanin “Koca Yusuf”, duke rikthyer në vend nderimin për jetën e tyre të humbur në detyrë.
