Mbretëria e Bashkuar nuk po ndan më informacione inteligjence me Shtetet e Bashkuara në lidhje me anijet e dyshimta që dyshohet se përdoren për të kontrabanduar drogë në ujërat e Karaibeve, sepse nuk dëshiron të jetë bashkëpunëtore në sulmet ushtarake amerikane dhe beson se këto sulme janë të paligjshme, thanë për “CNN” burime të njohura me çështjen. Vendimi i Londrës, vlerësohet nga “CNN” në një tekst që e quan ekskluzivitetin e tij, përfaqëson një përçarje të rëndësishme me aleatin dhe partnerin e saj më të ngushtë në shkëmbimin e inteligjencës dhe nxjerr në pah skepticizmin në rritje në lidhje me ligjshmërinë e fushatës ushtarake amerikane në Amerikën Latine. Për vite me radhë, Britania, e cila qeveris një numër territoresh në Karaibe ku ka edhe asete inteligjence, ka ndihmuar SHBA-në të gjejë anije të dyshuara për transportimin e drogës në mënyrë që Roja Bregdetare e SHBA-së të mund t’i ndalonte ato, thanë burimet. Kjo do të thoshte se anijet do të ndaloheshin, ekuipazhi do të arrestohej dhe droga do të konfiskohej.
Pezullimi në fuqi
Informacioni normalisht do t’i dërgohej Task Forcës së Përbashkët Ndëragjencore Jug, një task forcë me seli në Florida që përfshin përfaqësues nga një numër shtetesh partnere dhe punon për të luftuar tregtinë e paligjshme të drogës. Por menjëherë pasi SHBA-të filluan të kryenin sulme vdekjeprurëse ndaj anijeve në shtator, Londra ngriti shqetësime se SHBA-të mund të përdorin inteligjencën britanike për të zgjedhur objektivat. Zyrtarët britanikë besojnë se sulmet ushtarake amerikane, të cilat vranë 76 persona, shkelin ligjin ndërkombëtar, thanë burimet. Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, tha muajin e kaluar se sulmet shkelën të drejtën ndërkombëtare dhe përbënin “ekzekutime jashtëgjyqësore”. Mbretëria e Bashkuar pajtohet me këtë vlerësim, thanë burime për “CNN”. Ambasada Britanike në Uashington dhe Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigjën kërkesave për koment, dhe një zyrtar i Pentagonit tha vetëm se departamenti “nuk komenton për çështje të inteligjencës”.
Lufta kundër karteleve
Përpara se ushtria amerikane të fillonte shkatërrimin e anijeve në shtator, lufta kundër tregtisë së paligjshme të drogës ishte përgjegjësi e agjencive të zbatimit të ligjit dhe e Rojës Bregdetare të SHBA-së. Anëtarët e kartelit dhe trafikantët e drogës trajtoheshin si kriminelë me të drejtë për një gjykim të drejtë, një qasje me të cilën Londra ishte plotësisht dakord, thanë burimet. Por administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, pretendon se ushtria amerikane mund të vrasë ligjërisht të dyshuarit për kontrabandë sepse ata përbëjnë një kërcënim të menjëhershëm për amerikanët dhe janë “luftëtarë armiq” që janë në një “konflikt të armatosur” me SHBA-në, sipas një memorandumi që administrata i dërgoi Kongresit. Zyra e Këshillit Ligjor të Departamentit të Drejtësisë lëshoi një opinion, i cili është ende i klasifikuar, duke e mbështetur këtë argument, raportoi “CNN”, dhe Trump i cilësoi një numër kartelesh droge si “grupe terroriste të huaja”.
Zhvendosja e “bishës amerikane”
Së fundmi, aeroplanmbajtësja amerikane Gerald Ford është zhvendosur në rajonin e Amerikës Latine, thanë zyrtarët amerikanë të martën, duke përshkallëzuar në mënyrë dramatike grumbullimin ushtarak mes tensioneve me Venezuelën. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, urdhëroi vendosjen e Ford në rajon në tetor, duke iu bashkuar një flote prej tetë anijesh luftarake, një nëndetëseje bërthamore dhe avionësh F-35 që ndodhen tashmë në Karaibe. Ford, i vënë në shërbim në vitin 2017, është aeroplanmbajtësja më e re amerikane dhe më e madhja në botë, me më shumë se 5,000 marinarë. Pentagoni konfirmoi mbërritjen dhe tha se Ford do të ndihmojë në “shtypjen e trafikimit të narkotikëve dhe në degradimin dhe shpërbërjen e organizatave kriminale transnacionale”. Megjithatë, duket se planet e SHBA do të bëhen pa ndihmën e aleatëve, siç konfirmoi dhe lëvizja e Britanisë.
