Si dyshja e re e fuqishme në Bashkimin Evropian i përshkruan Politico kancelarin e Gjermanisë, Friedrich Merz, dhe kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, të cilët sot pritet të takohen në Villa Doria Pamphilj në Romë, për të forcuar aleancën e tyre të re politike.
Sipas analizës, “të dy janë atlantistë të djathtë që synojnë të ulin tensionet me presidentin amerikan Donald Trump. Të dy, gjithashtu, ndajnë pakënaqësi ndaj presidentit francez Emmanuel Macron”.
Politico thekson se “afrimi i Merz-it me Melonin lidhet pjesërisht me irritimin e tij ndaj Francës. Berlini është i pakënaqur që Parisi u përpoq të minonte marrëveshjen e rëndësishme tregtare Mercosur me Amerikën e Jugut, të cilën Gjermania e mbështeste prej kohësh për të nxitur eksportet industriale. Po ashtu, Gjermania po shqyrton mundësinë e tërheqjes nga një program i përbashkët avionësh luftarakë me vlerë 100 miliardë euro, për shkak të mosmarrëveshjeve me Francën”.
Gjatë samitit të sotëm në Romë, Merz dhe Meloni pritet të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, sipas diplomatëve të përfshirë në përgatitje. Në total, në takime do të marrin pjesë 21 ministra të lartë nga të dy vendet, ndërsa pritet të nënshkruhen rreth 10 marrëveshje, sipas qeverisë italiane.
“Një nga nismat më ambicioze është bashkëpunimi i Italisë dhe Gjermanisë për hartimin e një plani të ri veprimi për ringjalljen e industrisë së BE-së dhe zgjerimin e eksporteve, i cili do të paraqitet si dokument i përbashkët pozicionesh për samitin e Këshillit Evropian më 12 shkurt”, shkruan Politico, duke shtuar se Berlini dhe Roma e përshkruajnë veten si “dy vendet kryesore industriale të Evropës, një retorikë që pritet të shqetësojë Parisin”.
Një deputet i partisë “Vëllezërit e Italisë” të Melonit deklaroi se aleanca me Merz-in është logjike, duke pasur parasysh largimin e pritshëm të Macron nga skena evropiane pas zgjedhjeve franceze të vitit të ardhshëm. “Të dy vendet tona kanë qeveri të qëndrueshme, veçanërisht në krahasim me Francën. Është e qartë se Meloni dhe Merz kanë ende shumë kohë përpara për të bashkëpunuar”, tha ai.
Kimi e mirë
Ndërkohë, zyrtarë në Berlin shprehin privatisht entuziazëm për bashkëpunimin në rritje me Melonin, duke e përshkruar marrëdhënien me Romën si të besueshme.
“Italia është e besueshme”, tha një zyrtar i lartë i qeverisë gjermane, me Politico që vëren se “ky nuk është një mbiemër që autoritetet në Berlin e kanë përdorur shpesh kohët e fundit për homologët e tyre francezë”.
“Franca flet më shumë, por Italia është shumë më pragmatike”, deklaroi Axel Schäfer, deputet i lartë i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë dhe njohës i marrëdhënieve gjermano-italiane.
‘Martesë’ interesi
Megjithatë, liderët e Italisë dhe Gjermanisë kanë edhe dallime të rëndësishme, me Politico që e përshkruan bashkëpunimin mes Berlinit dhe Romës si një “martesë interesi”.
Siç kujton analiza, “Meloni refuzoi të mbështeste planin e propozuar nga Merz për përdorimin e aseteve ruse të ngrira për financimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën, ndërsa përkohësisht kundërshtoi edhe marrëveshjen BE–Mercosur për të siguruar lëshime për fermerët italianë, përpara se ta mbështeste përfundimisht”.
Italia prej kohësh kërkon një politikë fiskale më fleksibile në BE, ku shpesh është në një linjë me Francën, ndërsa Gjermania ka luajtur rolin e mbikëqyrësit të rreptë të disiplinës buxhetore evropiane.
“Megjithatë, edhe këtu ka pasur një afrim, me Melonin që ka frenuar shpenzimet në Itali dhe Merz-in që kryeson një zgjerim historik të investimeve në infrastrukturë dhe mbrojtje, të financuara përmes borxhit”, thekson Politico.
Ndryshimet e brendshme
Sipas artikullit, aleanca Merz–Meloni është edhe rezultat i ndryshimeve të brendshme politike, të nevojshme për mbijetesën e tyre politike.
Meloni e ka zhvendosur partinë e saj nacionaliste, Vëllezërit e Italisë, më drejt qendrës, veçanërisht në politikën e jashtme. Ndërkohë, rritja e partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) e ka detyruar Merz-in ta zhvendosë partinë e tij konservatore më djathtas, sidomos në çështjet e migracionit.
Ky afrim ideologjik ka lehtësuar normalizimin e marrëdhënieve. Ndërsa Merz kërkonte partnerë evropianë për të ulur ndjeshëm fluksin e azilkërkuesve, për të reduktuar rregulloret dhe për të nxitur tregtinë, si dhe për të balancuar ndikimin e Macron-it, Meloni është shndërruar në një figurë gjithnjë e më kyçe për kancelarin gjerman.
