Veshja e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë takimit të tij të tensionuar me presidentin amerikan Donald Trump ka shkaktuar gjithashtu irritim dhe ka kontribuar në përkeqësimin e atmosferës mes të dyve.
Sipas Sky News, Zelensky ishte këshilluar nga ekipi i Trump që të vishte një kostum formal për takimin në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, presidenti ukrainas vendosi të mos ndiqte këtë protokoll dhe u paraqit me një veshje më sportive, një zgjedhje që nuk u pëlqye nga Trump.
Në fund të takimit, një gazetar pyeti Zelenskyn pse nuk kishte veshur kostum, duke e akuzuar për një sjellje që tregon mungesë respekti ndaj Shteteve të Bashkuara. Përgjigja e Zelenskyt ishte: “Do të vesh kostum kur kjo luftë të mbarojë. Ndoshta diçka si kjo juaja. Ndoshta diçka më të mirë, nuk e di, do të shohim. Ndoshta diçka më të lirë.”
Ky koment shkaktoi një atmosferë edhe më të tensionuar pas takimit, duke theksuar përplasjen e qartë mes dy liderëve.