Sipas shumë ukrainasve, territori nuk është vetëm pika e ndjeshme e bisedimeve Rusi-Ukrainë. Është gjithashtu diçka e pandryshuar në sistemin ligjor të Ukrainës.
Sipas mediave të huaja, edhe nëse Zelensky do të binte dakord, Presidenti i Ukrainës thjesht nuk ka kompetenca për të nënshkruar ndonjë lëshim territorial, sipas ligjit kryesor të shtetit.
Një pushtet i tillë i përket popullit ukrainas dhe duhet të ushtrohet nëpërmjet referendumit.
Neni 73 i kushtetutës së Ukrainës thotë se çdo ndryshim në territorin e vendit mund të bëhet vetëm me anë të një “referendumi mbarëukrainas”.
Kjo do të thotë që të gjithë qytetarët ukrainas, në të gjitha rajonet e saj, duhet të jenë në gjendje të hedhin votën e tyre, lirisht dhe pa asnjë presion.
Këtu përfshihen ata në territoret e pushtuara, rreth 20% e tokës që aktualisht kontrollohet nga Rusia në Krime, Donbas dhe pjesë të rajoneve të Zaporizhzhya dhe Kherson. Përfshihen gjithashtu vijat e frontit.
Gjithashtu, ligjërisht referendumi nuk mund të mbahet gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, shkruan A2.
Kjo e çon situatën në një rreth vicioz në nivelin e diplomacisë ndërkombëtare dhe është një nga pikat kyçe për Ukrainën.
