Një sërë dokumentesh ka zbuluar se deri ku shkon aparati i spiunazhit të Amerikës në mbarë botën, dhe si SHBA vazhdon të infiltrohet në vendet aleate, në një kohë tensionesh globale në rritje.

Dokumentet, të cilat kishin informacion rreth kapacitetit ushtarak të Kremlinit, tregonin se deri në çfarë mase taktikat e spiunazhit të SHBA-së kanë depërtuar në luftën e Vladimir Putin në Ukrainë. Megjithatë, shkelja e inteligjencës, e cila përfshinte raporte nga fundi i shkurtit deri në fillim të marsit, por që janë zbuluar vetëm në internet ditët e fundit, zbuloi gjithashtu hetime në një sërë vendesh, duke përfshirë Korenë e Jugut, Iranin dhe Mbretërinë e Bashkuar, sipas Wall Street Journal. Koreja e Jugut, Izraeli, Ukraina dhe Mbretëria e Bashkuar janë ndër aleatët që thuhet se SHBA-të po i mbajnë nën kontroll.

Raportet e inteligjencës duket se tregojnë se SHBA vazhdon të spiunojë liderët kryesorë ushtarakë dhe politikë në rajon. Megjithatë, skandali tashmë po konsiderohet si një nga shkeljet më të rënda të sigurisë kombëtare, që mund të ketë implikime të mëtejshme në legjitimitetin e spiunazhit të SHBA në të ardhmen. Sipas gazetës, një zyrtar i lartë i inteligjencës perëndimore tha se publikimi mund të frenojë ndarjen e inteligjencës midis agjencive, pasi besimi mbi bashkëpunimet e informacionit sekret mund të humbasë.

Administrata e Bidenit nuk e ka mohuar legjitimitetin e publikimit të dokumenteve, por tha se disa prej tyre ishin korrigjuar. Një hetim nga FBI-ja nisi të premten për të përcaktuar burimin nga dolën informacionet sekrete, megjithëse tani kjo duket si sfidë më vete.