Dy diplomatë të Ambasadës së Izraelit në Shtetet e Bashkuara, Yaron Lischinsky dhe Sarah Milgram, janë qëlluar për vdekje në Uashington, në një sulm që ambasada izraelite dhe Ministria e Jashtme e Izraelit e kanë cilësuar si “terrorist dhe brutal”.

Ngjarja ndodhi teksa viktimat po largoheshin nga një aktivitet në Muzeun Hebraik të Kryeqytetit (Capital Jewish Museum). Ambasada izraelite në Uashington konfirmoi lajmin përmes një njoftimi në rrjetin X, ku shprehet thellësisht e tronditur dhe “e zemërthyer nga kjo vrasje”.

“Ishin në kulmin e jetës së tyre. Një terrorist i qëlloi dhe i vrau ndërsa po dilnin nga muzeu. Asnjë fjalë nuk mund të shprehë thellësinë e pikëllimit dhe tmerrit tonë për këtë humbje shkatërruese. Zemrat tona janë me familjet e tyre”, thuhet në deklaratën e Ambasadës.

Edhe Ministria e Jashtme e Izraelit reagoi menjëherë pas konfirmimit të identitetit të viktimave, duke e quajtur ngjarjen një “sulm terrorist të tmerrshëm”.

“Jemi të tronditur dhe të tmerruar këtë mëngjes nga lajmi i sulmit brutal terrorist që mori jetën e dy anëtarëve të stafit të Ambasadës sonë në Uashington. Kujtimi i tyre qoftë një bekim”, thuhet në deklaratën zyrtare.

MPJ e Izraelit shton se diplomatët izraelitë janë në vijën e parë të mbrojtjes së vendit dhe se nuk do të ndalen përballë kërcënimeve:

“Ne nuk do të dekurajohemi nga terrori. Do të vazhdojmë misionin tonë në të gjithë globin, me një angazhim të palëkundur për të përfaqësuar Izraelin me krenari.”