Një raport i fundit tregon se kompanitë janë të pakënaqura me punonjësit e rinj të brezit Z (Gjenerata Z) dhe mund të shmangin punësimin e të diplomuarve të rinj në të ardhmen. Për shumë të diplomuar të rinj që përballen me ankesa për mënyrën se si përshtaten në vendin e punës, punëdhënësit raportojnë një pasiguri në rritje për t’i punësuar ata, sipas një raporti nga platforma këshilluese për arsim dhe karrierë, ‘Intelligent’. Raporti, i bazuar në një anketë me rreth 1,000 menaxherë të punësimit, ka zbuluar se një në gjashtë punëdhënës ishte i pasigurt për të punësuar punonjës nga brezi Z kryesisht për shkak të reputacionit të tyre për të qenë të privilegjuar dhe se ofendohen lehtë.

Për më tepër, më shumë se gjysma e tyre thanë se ky brez nuk ka një etikë të fortë pune, ka vështirësi me komunikimin, nuk menaxhon mirë reagimet dhe është përgjithësisht i papërgatitur për kërkesat e tregut të punës. Holly Schroth, pedagoge e lartë në Shkollën e Biznesit Haas në Universitetin e Kalifornisë, Berkley, shpjegoi se fokusi i brezit Z në aktivitete jashtëshkollore për të përforcuar konkurrueshmërinë e tyre në kolegj, në vend që të fitonin përvojë pune, ka çuar në pritshmëri jorealiste për vendin e punës dhe mënyrën se si të merren me shefat e tyre.

“Të lindurit e gjeneratës Z nuk kanë aftësitë bazë të ndërveprimit social me klientët, kolegët dhe bashkëpunëtorët, as etiketën e vendit të punës,”-tha Schroth. “Si pasojë, është detyrë e kompanisë të përgatisë siç duhet punonjësin e ri dhe t’i ofrojë trajnime të mjaftueshme. Për më tepër, shefi duhet të veprojë si trajner dhe menaxher,”-shtoi ajo. Përgjithësisht, rreth gjashtë nga dhjetë kompani që morën pjesë në anketë raportuan se kishin pushuar nga puna një diplomuar të universitetit që kishin punësuar këtë vit.

Shkaku kryesor i këtyre vendimeve përfshin mungesën e motivimit nga punonjësit, mungesën e profesionalizmit dhe aftësive të dobëta komunikimi, ndër të tjera. Menaxherët që morën pjesë në anketim gjithashtu raportuan se disa nga punonjësit e tyre të brezit Z kishin vështirësi për të menaxhuar ngarkesën e punës, shpeshherë shkonin në punë me vonesë dhe nuk visheshin apo nuk flisnin si duhet.