Departamenti Amerikan i Shtetit ka ndërmarrë një lëvizje të paprecedent duke pushuar nga puna 1,353 punonjës, në një veprim që ka ngjallur reagime të forta brenda dhe jashtë institucioneve diplomatike.
Sipas agjencisë Associated Press, e cila citon një zyrtar të lartë të DASH në kushte anonimiteti, 1,107 punonjës civilë dhe 246 diplomatë që shërbejnë në pozicione brenda SHBA-së, kanë marrë tashmë njoftimet për shkarkim. Sipas zyrtarit, vendimi është pjesë e një ristrukturimi të brendshëm për të rritur efikasitetin dhe për të ulur kostot.
Në një video të publikuar nga Reuters, shihet edhe ish-ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim, e veshur me një xhaketë të verdhë, duke përshëndetur me duartrokitje punonjësit e larguar. E rrethuar nga kolegë të tjerë të DASH, Kim shihet duke treguar respekt për ata që janë prekur nga masat e reja.
Ky gjest simbolik i saj ka marrë vlerësime në rrjetet sociale si një shenjë solidariteti në një moment të vështirë për shërbimin diplomatik amerikan.
Vendimi është përshëndetur nga Presidenti Donald Trump, Sekretari i Shtetit Marco Rubio, dhe figura të tjera të larta republikane, të cilët e konsiderojnë këtë si një hap të domosdoshëm për të “modernizuar” diplomacinë amerikane.
“Ky është një hap drejt një diplomacie më të shkathët dhe më efektive,” u shpreh Rubio në një deklaratë për shtyp.
Megjithatë, kritikët janë të shumtë. Ish-diplomatë dhe zyrtarë aktualë kanë shprehur shqetësim të thellë, duke paralajmëruar se reduktimi masiv i personelit mund të dobësojë ndjeshëm kapacitetin e SHBA-së për t’u përballur me krizat dhe kërcënimet globale.
“Kjo është një goditje ndaj përfaqësimit amerikan në botë. Një diplomaci e dobët do të thotë një Amerikë më pak e sigurt,” – është shprehur një ish-ambasador për “Foreign Policy”.
