Ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, ka shprehur mbështetje të qartë për qëndrimet izraelite, për pushtimin e plotë të Rripit të Gazës, ose ndryshe Bregut Perëndimor.
Huckabee ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara do ta respektojnë çdo vendim të Izraelit për të zgjeruar sovranitetin në atë zonë, pa vendosur kushte dhe se nuk ka ndërmend të diktojë politikën izraelite në këtë drejtim:
“Respektojmë Izraelin si një shtet sovran. Nuk do t’i themi se çfarë mund ose nuk mund të bëjë. Edhe nëse nuk pajtohemi ndonjëherë, ata kanë të drejtën të veprojnë siç e shohin të arsyeshme. Kjo është natyra e një partneriteti të vërtetë.”– deklaroi Huckabee.
Ai madje hodhi poshtë përdorimin e termit “Bregu Perëndimor”, duke e cilësuar si të pasaktë dhe të shkëputur nga historia. Sipas tij, është më e saktë që territori të quhet Judea dhe Samaria, referenca biblike që përdoret shpesh nga e djathta izraelite.
“’Bregu Perëndimor’ është një term modern dhe i paqartë. Termi Judea dhe Samaria është përdorur për mijëra vjet, dhe mbi 80% e Biblës lidhet me këto zona,” – tha ambasadori.
Duke iu referuar përpjekjeve për njohjen ndërkombëtare të një shteti palestinez në Kombet e Bashkuara, Huckabee theksoi se një hap i tillë do të shkelte Marrëveshjet e Oslos dhe nuk do të çonte askund.
“Jo vetëm që jemi kundër, por u bëjmë thirrje fuqishëm të gjitha shteteve të mos e ndërmarrin këtë hap. Është një manovër propagandistike në OKB që nuk do të sjellë krijimin e një shteti palestinez.”– tha ambasadori.
Ambasadori amerikan rikujtoi gjithashtu vendimin e administratës Trump për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe për të zhvendosur atje ambasadën amerikane, duke e cilësuar si një veprim që e konfirmon pozicionin e palëkundur të SHBA.
“SHBA-të e kanë përfshirë Jerusalemin si pjesë të trashëgimisë amerikane. E shohim si kryeqytetin e padiskutueshëm dhe të pandarë të shtetit hebraik.”– tha ai.
Ai e përshkroi marrëdhënien SHBA-Izrael si unike në botë, me nivele të larta bashkëpunimi në fushën e inteligjencës, teknologjisë ushtarake, softuerëve dhe koordinimit strategjik, të papara me asnjë vend tjetër.