Vajzat sfidojnë Gjykatën e Putinit, nuk shprehin pendim


Një gjykatë në Moskë liroi një nga tre anëtarët e grupit muzikor pank “Pussy Riot”, ndërsa la në fuqi vendimin për dy vjet burg për dy vajzat e tjera. Në sallë pati gëzim kur u njoftua pezullimi i dënimit për Yekaterina Samutsevich, 30 vjeç. Më herët, treshja foli me mospërfillje gjatë gjyqit të apelit, duke deklaruar se kënga e tyre protestuese qe politike, jo kundër kishës.


Në gusht, ata u dënuan për shkak se kënduan kundër Kremlinit në katedralen kryesore të Moskës, Krishti Shpëtimtar. Samutsevich, Maria Alyokhina 24 vjeç, dhe Nadezhda Tolokonnikova, 22 vjeç, u shpallën fajtore për “huliganizëm të nxitur nga urrejtja fetare”. Burgosja e tyre shkaktoi reagim të gjerë ndërkombëtar.


Dje, gjykatësit pranuan argumentin e avokatit mbrojtës të Samutsevich që tha se kjo e fundit qe ndaluar nga rojet e katedrales para se të hapte kutinë e kitarës së vet kur banda po bënte “lutjen pank”. Dy anëtaret e tjera të bandës u gëzuan dhe përqafuan Samutsevich kur u lexua vendimi.


Një nga avokatët mbrojtës, Mark Feigin, tha “jemi të lumtur që Yekaterina u lirua, por besojmë se dy vajzat e tjera duhet të lirohen gjithashtu. Apelimet do të vijojnë”.


Babai i Samutsecich tha: “Çfarë gëzimi! Por çfarë turpi për dy vajzat e tjera – ato nuk e meritojnë një dënim kaq të ashpër”.


Më herët, Alyokhina i tha gjykatësve: “Ne të gjithë jemi të pafajshëm… dënimi duhet të rrëzohet. Sistemi i drejtësisë në Rusi duket i diskretituar”. Ajo shtoi se nuk dëshironin të fyenin besimtarët kur protestuan në altarin e katedrales. Të tria kanë kërkuar falje, por nuk kanë pranuar të shprehin pendesë.


“Pendesa për ne është e papranueshme, është një lloj shantazhi”, tha njëra prej tyre, duke deklaruar se pendesa është një çështje personale pa lidhje me çështjen ligjore. Tolokonnikova i tha gjykatës se “është e qartë si drita se ne bëmë një akt politik, jo një veprim antifetar”. Alyokhina tha se edhe nëse dërgoheshin në një koloni penale për dy vjet, “nuk do të qëndrojmë të heshtura – qoftë edhe në Mordovia apo Siberi – sado e pakëndshme kjo të jetë për ju”.


Kisha ruse ka deklaruar se vajzat duhet të falen nëse shprehin pendesë. Kryeministri Dimitry Medvedev u shpreh i pakënaqur me vendimin duke argumentuar se një dënim me kusht do të mjaftonte. Por vetë Putini, i cili me këtë rast dëshiron të shtojë mbështetjen nga konservatorët fetarë, e mbrojti dënimin duke argumentuar pak ditë më parë se vajzat kanë minuar themelet e moralit dhe kanë rrezikuar të shkatërrojnë vendin.


Ndërkohë, sondazhe të ndryshme në Rusi raportojnë se edhe popullata e përkrah dënimin e vajzave. Më shumë se gjysma janë dakord dhe 43 për qind besojnë se dënimi qe tepër i lehtë.