Analiza


Kush ka besuar se shteti rus do të ketë fuqinë për të treguar zemërgjerësi, apo butësi ndaj kundërshtarëve të tij, e sheh tani se ka gabuar plotësisht. Kjo për faktin se vendimi i gjykatës së Moskës kundër tri grave të grupit punk, “Pussy Riot” nuk është vetëm një dënim i rëndë, që prek të akuzuarat personalisht. Me këtë proces krijohet një shembull frikësues: kushdo që në Rusi demonstron kundër sistemit autoritar të Presidentit Vladimir Putin dhe me këtë rast shkel ligjet, do të ndjejë forcën e plotë të aparatit shtetëror.


Nuk ka dyshim: paraqitja e aktivisteve punk në mars të këtij viti në Katedralen e Krishtit Shpëtimtar ishte një skandal. Sigurisht që aksioni ishte i përshtatshëm për të ofenduar ndjenjat fetare të besimtarëve. Dhe sigurisht që edhe sipas standardeve gjermane, një veprim i tillë në një kishë do të konsiderohej si pengesë për shprehjen e lirisë fetare dhe do të dënohej ligjërisht. Liria artistike dhe liria e fesë i vendosin njëra-tjetrës kufizime. Por në një shtet ligjor, në një rast të tillë do të ishte marrë në konsideratë balancimi i interesave kundërthënëse ligjore. Në Moskë nuk ndodhi një gjë e tillë. Gjyqtares i mjaftoi një deklaratë e thjeshtë: “Ky nuk ishte art, por vandalizëm nga urrejtja fetare”. Rasti kundër tri grave nuk ishte asgjë më shumë se një proces i montuar. Pothuajse një gjysmë viti ato qëndruan në paraburgim. Mizorisht, menjëherë pas protestës së familjeve të tyre, ato u ndanë nga fëmijët e tyre të vegjël. Aksioni i grave kaloi pa përdorimin e dhunës. Askush nuk u dëmtua me të vërtetë. Rrjedha e ngjarjeve ishte e qartë dhe nuk është kontestuar nga gratë. Pra ka pasur rrugë për të treguar butësi juridike dhe aksioni të konsiderohej si një veprim i pashije dhe i pakuptimtë i grave të reja.


Në vend të kësaj, gratë janë trajtuar si kriminele. Gjatë procesit ato ishin të prangosura dhe të mbyllura në një kafaz xhami. Gjykata nuk i dha pothuajse aspak hapësirë palës mbrojtëse. Edhe të pandehurat kishin shumë pak mundësi për të përshkruar pikëpamjen e tyre të gjërave. Ato i përdorën ato për të kritikuar qeverinë “Putin” si një regjim shtypjeje. Nuk bëhej fjalë për urrejtje fetare. Ajo ishte një protestë politike.