Një deklaratë surprizë e presidentit kinez Xi Jinping gjatë takimit me Donald Trump në Pekin ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, pasi lideri kinez thuhet se ka paralajmëruar se Vladimir Putin mund të “pendohet” për nisjen e luftës në Ukrainë në vitin 2022.
Sipas burimeve të cituara nga Financial Times, Xi e bëri komentin gjatë diskutimeve me Trump për luftën në Ukrainë, marrëdhëniet globale dhe balancat ndërkombëtare të fuqisë. Burimet thonë se presidenti amerikan propozoi gjithashtu një bashkëpunim mes SHBA-së, Kinës dhe Rusisë kundër Gjykatës Ndërkombëtare Penale, duke argumentuar se tre vendet kanë interesa të përbashkëta ndaj institucionit.
Deklarata e Xi Jinping konsiderohet e pazakontë, pasi Kina ka shmangur prej kohësh çdo kritikë të drejtpërdrejtë ndaj presidentit rus Vladimir Putin. Në takimet e mëparshme me ish-presidentin amerikan Joe Biden, lideri kinez kishte diskutuar konfliktin në Ukrainë, por pa dhënë qëndrime personale për vendimin e Kremlinit.
Zhvillimi vjen në prag të një tjetër samiti mes Xi dhe Putin në Pekin, ku presidenti rus pritet të mbërrijë këtë javë. Takimi përkon edhe me 25-vjetorin e traktatit të miqësisë kino-ruse, të firmosur nga Jiang Zemin dhe Putin.
Ndërkohë, lufta në Ukrainë ka hyrë në vitin e pestë, ndërsa përdorimi masiv i dronëve po ndryshon mënyrën e zhvillimit të konfliktit modern. SHBA-ja ka akuzuar vazhdimisht Kinën se po furnizon Rusinë me mallra me përdorim të dyfishtë, që mund të shfrytëzohen edhe për qëllime ushtarake.
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se sulmet me dronë pranë Moskës janë “plotësisht të justifikuara”, pas bombardimeve të reja ruse mbi Kiev.
Komentet e Xi-së po interpretohen si një sinjal i rrallë se Pekini mund ta shohë luftën në Ukrainë si një barrë afatgjatë strategjike për Rusinë dhe për stabilitetin global.
