Shefja e diplomacisë së Bashkimit Europian, Kaja Kallas, ka refuzuar idenë që ish-kancelari gjerman Gerhard Schröder të marrë rolin e negociatorit europian në bisedimet e mundshme të paqes mes Rusisë dhe Ukrainës.

Propozimi u hodh nga presidenti rus Vladimir Putin, i cili sugjeroi që Schröder të shërbejë si ndërmjetës në negociatat e ardhshme, duke deklaruar se lufta në Ukrainë “po shkon drejt fundit”.

Megjithatë, Kallas e kundërshtoi hapur këtë ide përpara takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel.

“Nëse i japim Rusisë të drejtën të zgjedhë negociatorin në emrin tonë, kjo nuk do të ishte aspak e mençur. Për më tepër, Gerhard Schröder ka qenë praktikisht një lobist i nivelit të lartë për kompanitë shtetërore ruse”, deklaroi ajo.

Sipas Kallas, fakti që Putini preferon Schröderin për këtë rol tregon se ai “do të ishte në të dyja anët e tryezës”.

Ish-kancelari gjerman ka ruajtur marrëdhënie të afërta me Putinin edhe pas largimit nga politika aktive. Ai ka qenë pjesë e bordit të kompanisë ruse të naftës Rosneft deri në vitin 2022 dhe ka mbajtur role edhe në kompani të tjera energjetike ruse, përfshirë Gazprom dhe Nord Stream AG.

Edhe Ukraina e ka refuzuar propozimin rus. Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, u pyet nëse Kievi do ta mbështeste Schröderin si ndërmjetës, por ai u përgjigj shkurt: “Jo, nuk e mbështesim”.

Ndërkohë, në Gjermani pati reagime të ndryshme. Zëdhënësi për politikën e jashtme i socialdemokratëve gjermanë, Adis Ahmetović, deklaroi se propozimi duhet “të shqyrtohet me kujdes” në koordinim me partnerët europianë.