Lufta në Ukrainë zuri pjesën më të madhe të telefonatës së të premtes mes Donald Trumpit dhe Vladimir Putinit, sipas zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov.
Ai deklaroi për mediat shtetërore ruse se Putini ishte treguar i hapur ndaj disa propozimeve amerikane për hapa drejt uljes së tensioneve. Peskov nuk dha hollësi për përmbajtjen e tyre. Paralelisht, në Miami u zhvilluan bisedime mes zyrtarëve amerikanë, ukrainas dhe përfaqësuesve të Gjermanisë, Francës, Britanisë, Komisionit Europian dhe NATO-s. I dërguari amerikan Steve Witkoff i cilësoi diskutimet konstruktive.
Sipas tij, palët shqyrtuan mundësi për përfundimin e luftës përpara dimrit dhe arritjen e një paqeje të qëndrueshme. Në tryezë ishin garancitë e sigurisë, furnizimi me energji, eksportet e drithërave dhe rindërtimi i Ukrainës. U diskutua edhe perspektiva e anëtarësimit të saj në Bashkimin Europian. Megjithatë, pengesa kryesore mbetet territori. Moska kërkon kontrollin e gjithë Donbasit, përfshirë zonat që mbahen ende nga Kievi.
Presidenti Volodymyr Zelensky kundërshton dorëzimin e tyre. Telefonata Trump–Putin solli edhe njoftimin për lehtësimin e kufizimeve amerikane ndaj naftës ruse, për të shtuar furnizimin në tregjet botërore. Zelensky e kritikoi këtë vendim, duke paralajmëruar se të ardhurat shtesë do të financojnë luftën e Moskës. Uashingtoni synon bisedime më të gjera me Rusinë dhe Ukrainën gjatë këtij muaji, por ende nuk ka një datë të konfirmuar.
Top Channel
