Kievi ka hedhur poshtë propozimin e fundit të Presidentit rus Vladimir Putin, i cili tha se është i gatshëm të takohet me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Moskë për të diskutuar mbi paqen mes dy vendeve.
Duke folur nga Pekini, ku ndodhet për një vizitë zyrtare, Putin u shpreh se “Zelensky është i mirëpritur në Moskë nëse dëshiron të bisedojmë seriozisht”. Sipas tij, çdo takim duhet të ndodhë vetëm në një fazë të avancuar të negociatave, për të siguruar rezultate konkrete.
Por përgjigjja nga pala ukrainase erdhi shpejt. Ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sibiga, deklaroi përmes një postimi në rrjetin social X se Ukraina nuk e konsideron të pranueshme Moskën si vend takimi dhe se janë të paktën shtatë shtete të gatshme për të pritur një samit të mundshëm Putin-Zelensky.
“Këto janë oferta serioze dhe Presidenti Zelensky mbetet i gatshëm për një takim në çdo moment,” shkroi Sibiga. “Por Putini vazhdon të bëjë propozime që e dinë të gjithë se janë të papranueshme për ne dhe për partnerët tanë.”
Ai gjithashtu bëri thirrje për shtim të presionit diplomatik dhe ekonomik ndaj Rusisë, duke akuzuar Kremlinin se po e përdor diplomacinë për të vonuar dhe manipuluar procesin e paqes.
Ndërkohë, vende si Zvicra, Turqia, Hungaria dhe Katari kanë ofruar neutralitetin e tyre si mikpritës të mundshëm për bisedimet. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve ndërkombëtare, marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten jashtëzakonisht të tensionuara, dhe një takim mes dy liderëve duket ende larg realizimit.