Presidenti rus Vladimir Putin është konsideruar “moralisht përgjegjës” për vdekjen e Dawn Sturgess, sipas rezultateve të një hetimi të publikuar nga autoritetet britanike, raporton BBC. Hetuesit arritën në përfundimin se Putin mund të ketë miratuar sulmin me agjentin nervor Novichok ndaj ish-agjentit të dyfishtë Sergey Skripal në vitin 2018 – një akt i përshkruar si “shokueshëm i pamatur” dhe që, në mënyrë indirekte, çoi në vdekjen e një qytetareje të pafajshme.
Dawn Sturgess, nënë e tre fëmijëve, u ekspozua ndaj Novichok-ut në banesën e partnerit të saj, Charlie Rowley, në Amesbury. Ajo u shtrua në spitalin e Salisbury dhe ndërroi jetë më 8 korrik 2018, tetë ditë pas kontaktit me substancën vdekjeprurëse. Hetimi theksoi se mjekët dhe stafi i ambulancës ofruan kujdesin e duhur dhe se, për shkak të natyrës së helmit, asnjë ndërhyrje nuk mund t’i kishte shpëtuar jetën.
Nëna e Sturgess e përshkroi atë si “të zgjuar, të fortë dhe jashtëzakonisht të sjellshme”, duke shtuar se vajza kishte filluar të shpresonte për një jetë të re pas një periudhe të vështirë.
Sulmi ndaj Sergey dhe Yulia Skripal më 4 mars 2018 në Salisbury u cilësua si një “demonstrim i hapur i fuqisë ruse”, ndërsa vdekja e Dawn Sturgess u përshkrua si një pasojë tragjike e këtij akti – “dëm kolateral”. Hetimi theksoi se operacioni ishte i përmasave të tilla që përbënte “një mesazh të qartë” për audiencën ndërkombëtare dhe atë të brendshme për vendosmërinë e Rusisë në ndjekjen e interesave të saj.
Raporti vë në dukje se të gjithë personat e përfshirë në atentat – duke përfshirë edhe Putinin, i cili dyshohet se e aprovoi sulmin në nivel të lartë – mbajnë përgjegjësi morale për vdekjen e Sturgess.
Rasti Skripal shkaktoi një krizë të madhe diplomatike midis Britanisë dhe Rusisë. Qeveria britanike akuzoi Kremlinin për sulmin dhe vendosi sanksione, përfshirë dëbimin e diplomatëve rusë. Rusia, nga ana e saj, mohoi çdo përfshirje, dëboi diplomatë britanikë dhe akuzoi Mbretërinë e Bashkuar për keqmenaxhim të çështjes.
