Vladimir Putin nuk dëshiron të braktisë aspiratat e Rusisë për influencën e saj në Maqedoninë e Veriut.


Pas një heshtje 4 vjeçare me administratën e Zoran Zaevit, shefi i Kremlinit ka përfituar nga kremtimi i pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, për të thënë se ishte Moska, ajo që ka dhënë OK për shkëputjen e vendit në vitin 1991 nga Jugosllavia e atëhershme.


Mesazhi i është dërguar Presidentit të Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski, nga ambasadori rus në Shkup, Sergej Bazdnikin.


“I nderuar zotëri president, pranoni urimet me rastin e festës kombëtare të vendit tuaj – Ditës së Pavarësisë. Jam i bindur që promovimi i bashkëpunimit dypalësh konstruktiv mes Federatës Ruse dhe Republikës së Maqedonisë të Veriut do t’i përshtatej interesave të popujve tanë, do të kontribuonte në përforcimin e sigurisë dhe të stabilitetit në Ballkan. Ju uroj sinqerisht shëndet dhe suksese, ndërsa për të gjithë bashkëqytetarët tuaj paqe dhe prosperitet. Sinqerisht, V. Putin”, thekson mesazhi i presidentit rus.


Në Shkup, ky mesazh është konsideruar më shumë se një politikesë, por si një sinjal politik drejtuar Zaevit.


Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, dje ka festuar me shumë  bujë festën e pavarësisë, e cila erdhi nga referendum që u bojkotua nga shqiptarët në vitin 1991.


Shqiptarët e Maqedonisë nuk e konsideruan subjektin e ri shtetëror si pjesë e tyre dhe nuk donin të ishin bashkëfajtorë në një shtet që e konsideronin kundër tyre.


Kryeministri Zaev në fjalën e tij për këtë rast deklaroi se për herë të parë të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut e festojnë pavarësinë pa dallim, duke nënkuptuar dhe shqiptarët që janë në koalicion me të.


Pse Referendumi u bojkotua nga shqiptarët?


Përmes pyetjes së referendumit për pavarësimin e Maqedonisë, i cili u mbajt më 8 shtator 1991, qytetarët e këtij vendi u manipuluan përmes pyetjes me këtë përmbajtje:


A jeni për pavarësinë e Maqedonisë shtet sovran, me të drejtë bashkëngjitje në të ardhmen në një lidhje (bashkim) me shtetet sovrane të Jugosllavisë?”


Pikërisht formulimi i kësaj pyetja ka bërë që atë e bojkotuan shqiptarët.


Më vonë OKB dhe institucionet e tjera ndërkombëtare nuk e njohën Maqedoninë me emrin e saj kushtetues por me fusnotën Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë.


Shqiptarët në Maqedoni nuk e kanë votuar as Kushtetutën e Maqedonisë, të sjellë nga Parlamenti i këtij shteti më 17 nëntor 1991, duke mos dashur të mbeten edhe më tej nën tutelën e njëjtë me popujt dhe shtetet jugosllave, prandaj, përmes subjekteve të tyre politike e organizuan referendumin për Autonomi Politike-territoriale të Shqiptarëve në Maqedoni, i cili u mbajt më 11 dhe 12 janar 1992, vetëm 4 muaj pas referendumit për pavarësinë gjysmake të Maqedonisë, në të cilin morën pjesë, nga gjithsej 383.539 qytetarë shqiptarë me të drejtë vote, 360.928 prej tyre u deklaruan Pro këtë formë të organizimit politik dhe shtetëror të shqiptarëve në Maqedoni.