Rusia ka rifilluar sulmet ndaj Ukrainë vetëm pak orë pas përfundimit të armëpushimit tre-ditor, duke goditur gjatë natës kryeqytetin Kiev me dronë dhe raketa balistike.

Sipas autoriteteve ukrainase, në disa zona të qytetit u dëgjuan shpërthime të forta, ndërsa sistemet e mbrojtjes ajrore u aktivizuan për të interceptuar objektivat ajrore.

Sulmet shkaktuan dëme në ndërtesa banimi dhe objekte të tjera në periferi të Kievit. Deri tani është konfirmuar vdekja e një personi dhe plagosja e 16 të tjerëve.

Kreu i administratës ushtarake të qytetit, Timur Tkachenko, deklaroi se shumica e të plagosurve janë transportuar në spital, ndërsa disa persona morën ndihmë mjekësore në vendngjarje.

Në të njëjtën kohë, Rusi ka publikuar pamje nga testimi i raketës strategjike bërthamore RS-28 Sarmat, e njohur si “Sarmat”, duke rritur shqetësimet në vendet perëndimore për kapacitetet ushtarake të Moskës.

Sipas autoriteteve ruse, raketa është projektuar për të zëvendësuar sistemin sovjetik “Voevoda” dhe ka rreze shumë të gjatë veprimi, si edhe aftësi për të mbajtur koka bërthamore.

Komandanti i Forcave Strategjike të Raketave, Sergei Karakayev, i raportoi presidentit Vladimir Putin se testi ishte përfunduar me sukses.

Putin deklaroi se sistemi “Sarmat” pritet të hyjë në shërbim luftarak deri në fund të vitit dhe e cilësoi atë si një nga armët më moderne të arsenalit rus.

Sipas Kremlinit, raketa ka aftësi të avancuara për të shmangur sistemet e mbrojtjes raketore dhe konsiderohet një element kyç i strategjisë bërthamore ruse.

Zhvillimet e fundit kanë shtuar shqetësimet ndërkombëtare për përshkallëzimin e konfliktit dhe përkeqësimin e krizës humanitare në Ukrainë.