Kryeministri Edi Rama, në panelin e Konferencës Lennart Meri në Estoni, u shpreh se Presidenti amerikan Donald Trump ka luajtur një rol në ndërgjegjësimin e Europës për gjendjen e saj aktuale. Më tej Rama shtoi se, sipas tij, ishte agresioni rus dhe figura e Presidentit Vladimir Putin që e “zgjuan” Europën për të parë rrezikut gjeopolitik në Ballkan.

“Presidenti Trump ka bërë që Evropa ta shohë veten me të gjitha dobësitë e saj. Si kryeministri i Shqipërisë, një vend që po kërkon të hyjë në BE dhe tashmë një veteran mes liderëve, kam dëgjuar aq shumë herë ‘ju duam në Evropë, ju duam në Evropë, ju duam në Evropë’, por kurrë nuk ndodhte që të hidhej një hap.

Na duhej Vladimir Putini që ata të zgjoheshin dhe të thoshin ‘ah, kjo gjëja gjeopolitike qenka e vërtetë, kërcënimi gjeopolitik është real, nuk qenka thjesht teorike’. Nga njëra anë Putin ndihmoi Evropën që të zgjohej dhe të përshpejtonte procesin për ne në përgjithësi dhe nga ana tjetër, Trump e ndihmoi Evropën të kuptojë që duhet të mbledhë veten”, tha Rama.

Teksa u ndal te rrija e shpenzimeve nga anëtarët e NATO-s për mbrojtjen, ai tha se pa lidhje me produktivitetin industrial, konkurrueshmërinë, prokurimet dhe inovacionin mund të prodhohet një Europë më të armatosur, por më të dobët.

“Unë kam shumë frikë se nëse këto shpenzime të mbrojtjes mbeten në këto përqindje abstrakte. Duhet të rritemi në 2,3,4,5 % dhe nuk lidhen, një me produktivitetin industrial dhe konkurrueshmërinë në Evropë dhe dy, me integrimin e prokurimeve që është një tjetër problem i madh. Dhe më pas me inovacionin në përgjithësi, plus me legjitimitetin demokratik për Evropën, jo vetëm për qeveritë e zgjedhura, atëherë Evropa do të ketë më shumë armë, por do të jetë më e dobët”, tha ai.