Ndërsa Moska po teston durimin dhe vendosmërinë e vendeve të BE-së me provokime ajrore në kufirin verilindor të Evropës, ndikimi i saj po shtrihet gjithashtu në fushën politike. Zgjedhjet e radhës zhvillohen në Republikën Çeke më 3-4 tetor dhe në Moldavi më 29 shtator. Raportimet flasin për një përpjekje të drejtpërdrejtë të Rusisë për të ndikuar në proces, përmes propagandës, dezinformimit dhe financimeve të paligjshme.

Moldavia

Presidentja Maia Sandu ka akuzuar publikisht Kremlinin për përpjekje për të manipuluar rezultatin e zgjedhjeve. Vetëm pak ditë para votimit, autoritetet kryen mbi 250 bastisje dhe arrestuan 74 persona të dyshuar për një komplot që synonte nxitjen e trazirave. Ngjarjet ngjallin kujtime të freskëta nga Rumania, ku në fund të vitit të kaluar zgjedhjet presidenciale u anuluan për shkak të ndërhyrjes së një fuqie të huaj që favorizoi një kandidat pro-rus. Vetëm në maj 2025, me zgjedhjet e reja, situata u stabilizua me fitoren e kandidatit pro-evropian Nicușor Dan. Megjithatë, kriza la pasoja të forta për klimën politike dhe besimin publik.

Republika Çeke

Në Çeki, sipas sondazheve, prin biznesmeni kontrovers Andrej Babiš. Një fitore e tij mund ta afronte vendin me kampin e politikanëve evropianë më tolerantë ndaj Rusisë, si Viktor Orbán në Hungari dhe Robert Fico në Sllovaki. Babiš është një nga themeluesit e grupit parlamentar “Patriotët për Evropën” në Parlamentin Evropian, së bashku me Orbán dhe Herbert Kickl nga FPÖ e Austrisë. Kryeministri aktual Petr Fiala e ka paraqitur zgjedhjen si një referendum për orientimin perëndimor të vendit. Babiš, i cilësuar si populist pragmatik, kërkon “kompromis” me Rusinë dhe kritikon qeverinë për mbështetjen e fortë ndaj Kievit, duke shfrytëzuar shqetësimet e publikut për koston e luftës.

Efektet në BE

Inteligjenca çeke ka konfirmuar për “Politico” se aktiviteti i shërbimeve ruse është shtuar ndjeshëm në territorin çek, përfshirë sulmet kibernetike dhe fushatat e dezinformimit. Analistët paralajmërojnë se edhe vendet e konsideruara rezistente ndaj propagandës janë të ekspozuara. Në shtetet e krahut juglindor të NATO-s, si Rumania dhe Moldavia, rreziku është edhe më i madh, me raste konkrete të individëve të arrestuar ose denoncuar për plane të orkestruara nga Moska me qëllim destabilizimin e situatës politike dhe shoqërore.