Duke folur përkrah ministrave të Mbrojtjes të vendeve të E5, sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, i cilësoi veprimet e Rusisë si “të rrezikshme, të pamatura dhe të pashembullta”, pasi dronët rusë shkelën hapësirën ajrore të Polonisë.
Sipas mediave të huaja, Healey bëri të ditur se i ka kërkuar forcave të armatosura britanike të shqyrtojnë mënyra konkrete për forcimin e mbrojtjes ajrore të NATO-s mbi Poloni.
“Mbrëmë, Putini arriti një nivel të ri armiqësie kundër Evropës,” paralajmëroi Healey, duke shtuar:
“Pamë një shkelje serioze të hapësirës ajrore polake, aq të thellë saqë Aeroporti i Varshavës u mbyll, ndërsa avionë luftarakë të NATO-s rrëzuan dronë rusë – në atë që është veprimi i parë mbrojtës i këtij lloji që prej fillimit të agresionit të Putinit kundër Ukrainës.”
Në vijim, ai i dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë Vladimir Putinit:
“Agresioni juaj shërben vetëm për të forcuar unitetin e aleatëve tanë në NATO.
Shërben vetëm për të rritur vendosmërinë tonë për të qëndruar krah Ukrainës.
Dhe na kujton se një Evropë e sigurt nis me një Ukrainë të fortë.”