Duket se pasi SHBA hyri në luftë krah Izraelit, Irani i ka kthyer sytë nga Rusia duke kërkuar mbështetje.
Sipas mediave të huaja, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, dorëzoi sot në Moskë një letër nga udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, drejtuar presidentit rus Vladimir Putin, ku kërkohet rritja e mbështetjes ruse ndaj Teheranit në përballjen me SHBA-në dhe Izraelin.
Sipas burimeve iraniane të cituara nga Reuters, Irani është i pakënaqur me qëndrimin aktual të Rusisë dhe kërkon një pozicion më të qartë dhe më të fortë në krah të tij.
Nga Moska, Araghchi deklaroi se Irani dhe Rusia po koordinojnë qëndrimet përballë përshkallëzimit të situatës në Lindjen e Mesme. Ndërkohë, ai konfirmoi se nuk do të ketë rikthim në diplomaci me SHBA-në pa një përgjigje ndaj sulmeve amerikane. Zyrtarë iranianë kanë theksuar gjithashtu se Teherani do të vazhdojë pasurimin e uraniumit, duke deklaruar se askush nuk mund ta ndalojë këtë proces për sa kohë zhvillohet brenda kornizës ligjore.


