Dimitris Avramopoulos është vënë në qendër të hetimeve të reja në kuadër të skandalit të njohur si “Qatargate”, pasi autoritetet belge kanë lëshuar një urdhër arresti ndaj tij, sipas raportimeve të mediave belge dhe konfirmimeve nga zyrtarë grekë.
Hetimet, të nisura që në vitin 2022, lidhen me dyshime për korrupsion në institucionet e Bashkimit Europian, ku disa zyrtarë dyshohet se kanë marrë përfitime financiare nga Katari në këmbim të ndikimit në vendimmarrje politike brenda BE-së. Skandali “Qatargate” konsiderohet një nga rastet më të mëdha të dyshuara të korrupsionit në institucionet europiane në dekadat e fundit.
Sipas hetuesve, janë sekuestruar rreth 1.5 milion euro cash gjatë operacioneve, përfshirë edhe një shumë të gjetur në një valixhe në një hotel në Bruksel.
Avramopoulos, ish-Komisioner Europian për Emigracionin deri në vitin 2019 dhe aktualisht deputet në parlamentin grek, dyshohet për lidhje me një organizatë joqeveritare të lidhur me ish-deputetin e Parlamentit Europian Antonio Panzeri, i cili është një nga figurat qendrore të skandalit.
Sipas akuzave, përmes kësaj strukture ai dyshohet se ka përfituar pagesa mujore prej rreth 5,000 eurosh, me një përfitim total të dyshuar prej rreth 73,000 eurosh. Autoritetet belge e akuzojnë për pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Avramopoulos i ka mohuar kategorikisht akuzat, duke i cilësuar ato të pabazuara dhe ka deklaruar se do të kërkojë heqjen e imunitetit parlamentar, si dhe një hetim të plotë nga autoritetet greke për të sqaruar çështjen.
