Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, filloi dje vizitën e tij të parë zyrtare në Serbi, një aleat tradicional i Rusisë, duke njoftuar se do të zhvillojë diskutime me homologun e tij serb mbi çështje “ekonomike dhe të sigurisë”.

Zelensky u prit në aeroportin e Beogradit nga ministrja e Energjisë Dubravka Dzekovic Handanovic. Në mbrëmje, presidenti ukrainas ka darkuar me presidentin serb Aleksandar Vuçiç.

Në postimet e tij në rrjetet sociale, presidenti serb tha se është “i bindur se kjo vizitë do të kontribuojë në zhvillimin e marrëdhënieve” midis dy vendeve dhe do të forcojë bashkëpunimin e tyre “në fushat me interes të përbashkët”.

Zelensky, nga ana e tij, tha se do të zhvillojë bisedime “të rëndësishme” me Vuçiçin dhe kryeministrin Djuro Macut.

Të dy presidentët do të zhvillojnë bisedime zyrtare sot, të shtunën, në pallatin presidencial dhe do të japin deklarata për shtypin, sipas presidencës serbe.

Një zyrtar i lartë ukrainas tha të enjten, duke kërkuar të mos identifikohej, se qëllimi i Kievit është “të nxjerrë serbët nga kampi i Rusisë”, duke e quajtur vizitën e Zelensky-t një “shuplakë në fytyrë” për rusët.

Vuçiç, megjithatë, përsëriti qëndrimin e Serbisë, e cila është shumë e varur nga Rusia për furnizimet e saj me energji dhe nuk ka miratuar sanksione perëndimore kundër Moskës.

“Rusia e përcaktoi qëndrimin e saj katër vjet e gjysmë, pothuajse pesë vjet më parë dhe nuk e ka ndryshuar atë që atëherë”, theksoi ai, duke siguruar se ky qëndrim “do të mbetet i njëjtë deri në njoftim të mëtejshëm”.