Autoritetet e kampusit të Utah Valley University kanë konfirmuar një ngjarje alarmante: Charlie Kirk, themelues i organizatës konservatore Turning Point USA dhe aleat i ngushtë i Donald Trump, është qëlluar me armë gjatë një vizite në mjediset akademike dhe po trajtohet në spital në gjendje kritike.

Në një njoftim zyrtar për shtyp përcjellë në platformën X, Policia e kampusit deklaron:

“Sot, rreth orës 12:10, është qëlluar me armë zjarri drejt folësit vizitor, Charlie Kirk. Ai u godit dhe u evakua nga sigurimi personal. Policia e kampusit po heton rastin dhe një person i dyshuar është në paraburgim.”

Në videot që qarkullojnë në rrjetet sociale dhe mediat amerikane, duket momenti i arrestimit një person i shtrirë në tokë, teksa policia e ndal me forcë dhe e shoqëron drejt një makine patrulle. Arrestimi ndodhi vetëm pak minuta pas të shtënave dhe shumë pranë auditorit ku po mbahej aktiviteti.

Hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa tensioni dhe shqetësimi mbizotërojnë në komunitetin universitar dhe në skenën politike.

Sipas dëshmitarëve, Kirk u qëllua në qafë gjatë aktivitetit të tij “Prove Me Wrong”, ku zakonisht fton studentë për të debatuar ide politike në publik.

Organizata Turning Point USA konfirmoi më herët se Kirk është shtruar në spital dhe po merr trajtim intensiv. “Ne po lutemi për të në këtë kohë të vështirë,” tha zëdhënësja Aubrey Laitsch për CNN.

Më shumë detaje priten ndërkohë që hetimet po vijojnë. Ende nuk është bërë publik identiteti i autorit apo motivi i mundshëm i sulmit.