Ish- presidenti francez Nicolas Sarkozy, ka mbërritur në shtëpi pasi u lirua nga burgu pas një seance dëgjimore në gjykatën e apelit.  Ai mbërriti me një makinë me xhama të errët, e cila u shoqërua nga policia me motoçikleta.

Sarkozy, 70 vjeç, i cili do të vihet nën mbikëqyrje gjyqësore, do t’i ndalohet gjithashtu të largohet nga territori francez. Një gjyq i apelit pritet të zhvillohet në mars.

Sarkozi ka vuajtur vetëm tre javë nga një dënim pesëvjeçar në burgun La Sante në Paris për konspiracion kriminal në një skemë për të financuar fushatën e tij zgjedhore të vitit 2007  me fonde nga Libia, pasi arriti një marrëveshje me sundimtarin e hershëm të vendit, Muamar Gadafi.

Ndërsa ishte në burg, dolën raportime se ai kishte marrë kërcënime me vdekje, të cilat filluan vetëm një ditë pas fillimit të dënimit të tij.   Gjatë seancës dëgjimore të së hënës, Sarkozy, duke folur nëpërmjet videokonferencës, u ankua se jeta pas hekurave ishte një ‘makth’.

“Nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të përjetoja burgun në moshën 70 vjeç. Kjo përvojë e vështirë më u imponua dhe e përjetova. Është e vështirë, shumë e vështirë», tha ai. «Madje do të thoja se është rraskapitëse”– tha ai.

Djali i tij, Louis, reagoi ndaj lirimit të tij duke ndarë një fotografi të tij si fëmijë me të atin me mbishkrimin: “Rroftë liria”.

Avokati i ish-liderit, Christophe Ingrain, u tha gazetarëve: “Puna jonë tani, për Nicolas Sarkozy-n dhe për ne, është të përgatitemi për këtë seancë dëgjimore të apelit.”

Gruaja e Sarkozisë, supermodelja e shndërruar në këngëtare, Carla Bruni-Sarkozy dhe dy nga djemtë e tij morën pjesë në seancën dëgjimore në gjykatën e Parisit.