Benjamin Netanyahu ka deklaruar se pritet të zhvillojë gjatë ditës një bisedë me Donald Trump, në një moment kur tensionet lidhur me Iran vijojnë të rriten.

Netanyahu bëri të ditur se do të informohet mbi vizitën e fundit të Trump në Kinë, ndërsa la të kuptohet se situata me Iranin do të jetë pjesë e diskutimeve mes dy liderëve.

Zhvillimi vjen pasi Trump publikoi në platformën Truth Social një imazh të gjeneruar nga inteligjenca artificiale me mbishkrimin “qetësia para stuhisë”, duke nxitur spekulime për një përshkallëzim të mundshëm në rajon.

Ndërkohë, The New York Times raportoi se SHBA-ja dhe Izraeli po zhvillojnë përgatitjet më intensive për operacione të reja ushtarake kundër Iranit që prej armëpushimit të muajit të kaluar.

Sipas raportimit, dy zyrtarë të Lindjes së Mesme kanë deklaruar se të dy vendet synojnë të jenë gati për veprim që javën e ardhshme.

Në të njëjtën kohë, mediat raportojnë se Izraeli po përgatitet për një rifillim të mundshëm të konfliktit me Iranin, ndërsa situata në rajon mbetet e tensionuar.