Qeveria e re hungareze ka kallëzuar penalisht ish-ministrin e Jashtëm të Viktor Orbanit, Peter Szijjarto, dhe ekipin e tij, duke i akuzuar për përdorimin e avionëve privatë dhe ushtarakë në vend të fluturimeve të rregullta gjatë udhëtimeve zyrtare në katër vitet e fundit.
Kallëzimi është bërë nga ministrja e Jashtme, Anita Orban, në kuadër të masave kundër korrupsionit të ndërmarra nga qeveria e kryeministrit Peter Magyar, i cili mori pushtetin pas zgjedhjeve të prillit, duke i dhënë fund 16 viteve të qeverisjes së Viktor Orban.
Në një video të publikuar në Facebook, Anita Orban tha se nga viti 2022 deri në vitin 2026, Peter Szijjarto dhe delegacioni i tij përdorën rregullisht fluturime çarter private ose avionë ushtarakë.
Sipas saj, dokumentet dhe hetimet tregojnë se këto udhëtime kushtuan mesatarisht pothuajse gjashtë herë më shumë sesa do të kushtonin fluturimet e rregullta në klasë biznesi. Diferenca në shpenzime arrin në 4 miliardë forinta, ose rreth 10.9 milionë euro.
Anita Orban deklaroi se faktet e zbuluara ngrenë dyshime për përdorim të papërgjegjshëm të parave publike dhe shtrojnë çështjen e përgjegjësisë së ish-drejtuesve të ministrisë.
Nga ana tjetër, Viktor Orban i ka hedhur poshtë akuzat për korrupsion. Zëdhënësi i tij, Bertalan Havasi, i tha Reuters se udhëtimet e Peter Szijjarto ishin kryer në përputhje me rregullat në fuqi dhe se ish-ministri meriton vlerësim, jo sulme të motivuara politikisht.
