Dy ditë para mbledhjes së Parlamentit të ri të Maqedonisë së Veriut, presidenti i vendit, Stevo Pendarovski, ka bërë të ditur se nuk do të dekretojë asnjë ministër që nuk do të ketë certifikatë sigurie nga NATO.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka theksuar se në Qeverinë e ardhshme nuk guxon të ketë asnjë ministër me afera. Ai këtë e theksoi në një intervistë për javoren “Fokus”.
Pendarovski theksoi se nga aspekti strategjik të gjithë ministrat në qeverinë e ardhshme duhet të kenë kapacitet të qartë demokratik dhe orientim proevropian.
“Ata duhet të jenë njerëz që nuk kanë qenë të involvuar në asnjë aferë me ‘bekgraund’ kriminal, pasi që sfida jonë më e rëndësishme që vjen është sundimi i së drejtës. Kjo vlen jo vetëm për radhën e parë, por edhe për atë të dytë dhe të tretë të funksionarëve”, theksoi Pendarovski.
Sipas tij, funksionarët do të duhet të kenë certifikat sigurie nga NATO, duke marrë parasysh se vendi është anëtare e Aleancës
Deklarata bëhet pikërisht për të dhënë sinjalin se nuk do të ketë një kabinet me VRMNO-në e Gruevskit, e cila katër vjet më parë kishte lidhje të forta me Moskën dhe shërbimet sekrete të saj.
Ndërkaq, nga ana tjetër bëhet e ditur se certifikata e sigurisë, nuk i jepet edhe atyre politikanëve për të cilët ka dyshime për korrupsion.
Ndërkaq, pas konstituimit të Parlamentit të ri që bëhet të martën, mësohet se tentative e parë e LSDM-së për të formuar qeverinë nga partitë shqiptare, natyrisht që do të jetë BDI-ja e Ali Ahmetit, por mësohet se kontaktet kanë nisur prej ditësh.
Madje ka pasur edhe nxitje nga qarqet perëndimore për të inkurajuar një koalicion të tillë.
Ambasada amerikane në Shkup, javën e shkuar në një deklaratë të sajën pas zgjedhjeve të 15 korrikut, theksoi se qeveria e re duhet të ruajë kursin e “reformave progresive në vend”, çka ishte një qëndrim pro një koalicioni LSDM me BDI-në.
Ndërkaq, javën e shkuar, ambasadori gjerman në Shkup, ka shkuar në Tetovë për të takuar Ali Ahmetin, ku siç mësohet i ka bërë thirrje që të mos vështirësojë negociatat për qeverinë e re.