Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni,  shënon sot një moment të veçantë politik, pasi qeveria e saj bëhet më jetëgjata në historinë e Republikës Italiane.

Përmes një reagimi drejtuar qytetarëve italianë, Meloni e ka mirëpritur këtë arritje me mirënjohje dhe përgjegjësi, duke theksuar se jetëgjatësia e qeverisë nuk duhet parë si një rekord për t’u mburrur, por si dëshmi e stabilitetit politik.

Ajo ka renditur disa nga rezultatet e mandatit, përfshirë rritjen e punësimit, uljen e papunësisë, mbështetjen për familjet dhe bizneset, forcimin e sigurisë dhe menaxhimin e financave publike.

“Sot qeveria jonë bëhet qeveria me jetëgjatësinë më të madhe në historinë e Republikës Italiane. Është një fakt që e mirëpres me mirënjohje dhe me një ndjenjë të fortë përgjegjësie. Sepse stabiliteti nuk është një rekord për t’u mburrur, por kushti që i mundëson një kombi të planifikojë, të marrë vendime, të respektojë angazhimet dhe të kërkojë respekt. Gjatë këtyre viteve kemi punuar për të rritur punësimin, për të ulur papunësinë, për të mbështetur familjet dhe bizneset, për të forcuar sigurinë, për të menaxhuar financat publike me seriozitet dhe për t’i rikthyer Italisë peshën dhe besueshmërinë në skenën ndërkombëtare. Rezultatet janë aty, por e dimë shumë mirë se sa shumë gjëra mbeten ende për t’u bërë”, ka thënë Meloni ndër të tjera, duke e e cilësuar stabilitetin si rezultat të bashkëpunimit dhe vizionit të përbashkët, dhe jo si meritë të një individi të vetëm.

Kryeministrja ka kujtuar se besimi i marrë nga italianët në vitin 2022 nuk është konsideruar kurrë si i garantuar. Ajo ka paralajmëruar se vitin e ardhshëm qeveria do t’u paraqitet sërish qytetarëve me bilancin e punës së bërë, ndërsa vendimi për vijimin e kësaj rruge do të jetë në duart e tyre.

Reagimi i plotë i Giorgia Meloni:

Sot qeveria jonë bëhet qeveria me jetëgjatësinë më të madhe në historinë e Republikës Italiane.

Është një fakt që e mirëpres me mirënjohje dhe me një ndjenjë të fortë përgjegjësie. Sepse stabiliteti nuk është një rekord për t’u mburrur, por kushti që i mundëson një kombi të planifikojë, të marrë vendime, të respektojë angazhimet dhe të kërkojë respekt.

Gjatë këtyre viteve kemi punuar për të rritur punësimin, për të ulur papunësinë, për të mbështetur familjet dhe bizneset, për të forcuar sigurinë, për të menaxhuar financat publike me seriozitet dhe për t’i rikthyer Italisë peshën dhe besueshmërinë në skenën ndërkombëtare. Rezultatet janë aty, por e dimë shumë mirë se sa shumë gjëra mbeten ende për t’u bërë.

Ky stabilitet nuk është meritë e një personi të vetëm. Është rezultat i një koalicioni të bashkuar, i cili ka qeverisur për katër vjet me një vizion të përbashkët dhe që ka zgjedhur të qëndrojë së bashku jo kundër dikujt, por për të realizuar një projekt për Italinë.

Nuk besoj se është rastësi që, nga sot, tri qeveritë me jetëgjatësinë më të madhe në historinë republikane janë të gjitha qeveri të qendrës së djathtë. Stabiliteti ndërtohet kur një aleancë ndan të njëjtat vlera, synime dhe një vizion për kombin, jo kur e vetmja arsye për të qëndruar së bashku është pengimi i të tjerëve për të qeverisur.

Por mbi të gjitha, ky stabilitet ekziston falë italianëve, të cilët në vitin 2022 na dhanë besimin e tyre.

Një besim që nuk e kemi konsideruar kurrë si një çek të bardhë dhe që nuk do ta marrim kurrë si të mirëqenë. Vitin e ardhshëm do të rikthehemi përpara qytetarëve me atë që kemi bërë, me atë që mbetet ende për t’u bërë dhe me idenë tonë për të ardhmen. Dhe sërish do të jetë në dorën e tyre të vendosin nëse e meritojmë të vazhdojmë këtë rrugëtim.

Ndërkohë, puna vazhdon.

Dhe këtë mbrëmje do të takohemi në Bari, së bashku me komunitetin e madh të Fratelli d’Italia. Do të jetë rasti të shohim njëri-tjetrin në sy, të bëjmë bilancin e rrugës së përshkuar dhe, mbi të gjitha, të flasim për rrugën që ende kemi përpara.

Përpara, me këmbët në tokë dhe me vështrimin të drejtuar nga e ardhmja.