Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian ka nxitur reagime të ashpra nga qeveria italiane pas vendimit që kërkon kontroll gjyqësor efektiv mbi përcaktimin e “vendeve të sigurta të origjinës” për emigrantët. Në një deklaratë të shpërndarë nga kryeministrja Giorgia Meloni, ky vendim u cilësua si një ndërhyrje e papranueshme në çështje që i përkasin ekskluzivisht politikës. Sipas qeverisë së Italisë, Gjykata i jep fuqi gjyqtarëve kombëtarë për të sfiduar politika të tëra të emigracionit, siç është lista e vendeve të sigurta dhe procedurat e kthimit, duke e konsideruar këtë si një kërcënim serioz ndaj aftësisë së shteteve për të menaxhuar krizën migratore.
Vendimi erdhi pas një rasti të ngritur nga Gjykata e Romës që lidhej me dy azilkërkues nga Bangladeshi, të cilët ishin përfshirë në një procedurë të përshpejtuar dhe ishin refuzuar pasi vendi i tyre ishte shpallur “i sigurt” nga qeveria italiane. Gjykata e BE-së theksoi se një përcaktim i tillë nuk mund të bëhet vetëm në bazë të vendimeve të qeverisë, por duhet të mbështetet në të dhëna të verifikueshme dhe të kontrollueshme nga gjyqësori. Qeveria italiane ka bërë të qartë se nuk do të ndryshojë linjën e saj për menaxhimin e emigracionit, duke njoftuar se për dhjetë muajt e ardhshëm, deri në hyrjen në fuqi të Paktit të ri Evropian për Migracionin dhe Azilin, do të kërkojë çdo zgjidhje ligjore dhe teknike për të ruajtur sigurinë e qytetarëve.
Autoritetet italiane e konsiderojnë të habitshëm faktin që një vendim i tillë u mor në prag të hyrjes në fuqi të rregullave të reja të BE-së, të cilat sipas tyre, sanksionojnë qasje më të ashpra në këtë fushë.
