Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar kompanitë ajrore, siguruesit dhe operatorët që vijojnë të përdorin hapësirën ajrore dhe aeroportet ruse, ndërsa Ukraina po shton sulmet me dronë ndaj objektivave në Rusi.
Zelensky u bëri thirrje kompanive që të marrin parasysh rrezikun e shtuar në qiellin rus.
Në fjalimin e tij të mbrëmjes të martën, presidenti ukrainas tha se rritja e numrit të dronëve në hapësirën ajrore ruse e bën atë të pasigurt për trafikun ajror.
“Duam të paralajmërojmë çdo kompani ajrore që përdor hapësirën ajrore ruse, çdo sigurues dhe këdo që ende përdor aeroportet kryesore ruse, qielli rus po bëhet plotësisht i rrezikshëm”, u shpreh Zelensky.
Ai sqaroi se Ukraina nuk ka si objektiv aviacionin civil dhe se nuk synon avionët e pasagjerëve.
“Ukraina nuk kërcënon aviacionin civil si të tillë, asnjë avion civil. Thjesht do të ketë dronë në qiellin e Rusisë në një shkallë që duhet të merret parasysh”, tha presidenti ukrainas.
Zelensky iu drejtua veçanërisht kompanive që vazhdojnë të kryejnë fluturime drejt aeroporteve ruse, përfshirë aeroportet e Moskës dhe Shën Petersburgut.
“Lufta e nisur nga Rusia po mbyll qiellin e saj”, tha ai.
Shumica e kompanive ajrore perëndimore kanë shmangur hapësirën ajrore ruse që prej nisjes së pushtimit të Ukrainës.
Megjithatë, disa transportues, përfshirë kompani ajrore kineze, vijojnë ta përdorin atë në itineraret e tyre.
Presidenti rus Vladimir Putin reagoi ndaj paralajmërimeve të Zelenskyt, duke i cilësuar ato si një “deklaratë të terrorizmit shtetëror”.
Putin tha gjithashtu se Rusia do të vazhdojë sulmet ndaj Ukrainës, në një periudhë kur bombardimet dhe sulmet me dronë mes dy vendeve janë intensifikuar.
