Floridia në Siçili, qyteti që në vitin 2021 regjistroi temperaturën më të lartë të matur ndonjëherë në Europën kontinentale, po përballet me një realitet të ri klimatik. Temperaturat e larta po vështirësojnë jetën e përditshme, ekonominë dhe aktivitetin social. Banorët thonë se ditët e nxehta po zgjasin më shumë, ndërsa rrugët dhe sheshet boshatisen gjatë pjesës më të madhe të ditës.
Në Floridia të Siçilisë, vera nuk është më thjesht një periudhë e nxehtë e vitit. Për banorët e këtij qyteti me rreth 20 mijë banorë, temperaturat ekstreme po ndryshojnë mënyrën se si punohet, lëvizet dhe jetohet.
Pesë vite më parë, Floridia u kthye në simbol të krizës klimatike, pasi në gusht të vitit 2021 regjistroi temperaturën 48.8 gradë Celsius. Në vitin 2024, Organizata Botërore Meteorologjike e certifikoi temperaturën si më të lartën e regjistruar ndonjëherë në Europën kontinentale.
Por sot shqetësimi kryesor nuk janë më rekordet e izoluara. Shkencëtarët paralajmërojnë se temperaturat e larta po zgjasin për javë të tëra dhe se netët po bëhen gjithnjë e më të nxehta.
Në sheshin kryesor të qytetit, kafenetë dhe hapësirat publike që dikur ishin plot me njerëz mbeten bosh për pjesën më të madhe të ditës. Banorët qëndrojnë brenda shtëpive dhe aktivitetet sociale zhvendosen në orët e vona të mbrëmjes.
Një nga traditat e vjetra të zonës, “pigghiari u frescu”, kur familjet nxjerrin karriget jashtë shtëpive për të shijuar freskinë dhe për të biseduar me fqinjët, po bëhet gjithnjë e më e vështirë.
Pasojat janë të dukshme edhe për bujqësinë dhe bletarinë. Në vitin 2021, në zonën e Floridias u humbën më shumë se 3 mijë koshere bletësh dhe prodhimi i mjaltit ra me rreth 80 për qind.
Bletarët thonë se vera është kthyer në një periudhë ankthi, pasi temperaturat e larta mund të shkaktojnë kolapsin e kolonive dhe humbjen e plotë të koshereve.
Në Floridia, pesë vite pas rekordit prej 48.8 gradësh, pyetja nuk është më nëse do të vijë një tjetër valë e të nxehtit, por sa gjatë do të zgjasë dhe sa shumë do të ndryshojë jetën e përditshme.
Ndërkohë, Siçilia po përballet edhe me zjarre, thatësira dhe fenomene të tjera ekstreme.
Ekspertët theksojnë se ndryshimi i klimës nuk po shfaqet më vetëm përmes temperaturave rekord, por përmes një serie ndryshimesh që po prekin gradualisht jetën dhe ekonominë e banorëve.
