Presidenti i Turqi, Recep Tayyip Erdoğan, ka paralajmëruar Iran që të shmangë çdo veprim provokues, pasi një raketë balistike e lëshuar nga territori iranian hyri për pak kohë në hapësirën ajrore turke.

Në reagimin e tij, Erdoğan i bëri thirrje Teheranit të tregojë përmbajtje dhe të shmangë veprime që, sipas tij, mund të dëmtojnë marrëdhëniet historike mes dy vendeve. Ai theksoi se veprimet e fundit të Iranit përbëjnë hapa të gabuar dhe provokues, pavarësisht paralajmërimeve të mëparshme nga Ankara.

Sipas raportimeve të Anadolu Agency, reagimi i presidentit turk erdhi pasi një raketë balistike e lëshuar nga Irani hyri për pak çaste në hapësirën ajrore të Turqisë, përpara se të neutralizohej nga sistemet e mbrojtjes ajrore të NATO në rajonin e Mesdheut Lindor.

Ministria e Mbrojtjes e Turqisë bëri të ditur se mbetjet e raketës ranë në një zonë të pabanuar pranë qytetit Gaziantep, në jug të vendit, duke shtuar se nga incidenti nuk pati viktima apo të plagosur.

Erdoğan theksoi gjithashtu se forcat e armatosura turke janë në gatishmëri që nga fillimi i tensioneve në rajon. Sipas tij, Turqia po monitoron vazhdimisht hapësirën e saj ajrore me avionë luftarakë F-16 Fighting Falcon, avionë të paralajmërimit të hershëm dhe avionë cisternë për furnizim me karburant në ajër.