Rusia ndërmori sot një valë të fuqishme sulmesh ajrore ndaj kryeqytetit ukrainas, duke përdorur raketa dhe dronë në një nga goditjet më të rënda që nga fillimi i luftës. Sipas agjencisë AP, të paktën dy persona humbën jetën, ndërsa një ndërtesë e rëndësishme qeveritare u përfshi nga flakët.
Mes viktimave është Viktoria Hrebeniuk, një grua 32-vjeçare, e cila sipas mediave ukrainase humbi jetën së bashku me foshnjën e saj vetëm dy muajshe. Lajmi u bë publik fillimisht nga kanali “Nexta”, që shpërndau edhe foton e saj në rrjetet sociale.
Raportet tregojnë se sulmi shënjestroi banesën e familjes së Hrebeniuk. Fqinjët kanë rrëfyer se nëna dhe foshnja e saj ranë nga dritarja e katit të gjashtë pas shpërthimit. Babai i fëmijës, megjithëse mbijetoi, ka marrë lëndime të rënda.
Ky sulm i përshkallëzuar nënvizon intensifikimin e ofensivës ruse, duke shtuar tronditjen dhe dhimbjen në mesin e popullsisë civile në Ukrainë.