Dy raporte të publikuara më 2 korrik 2026 nga organet amerikane të auditimit kanë evidentuar mangësi të rënda në funksionimin e Shërbimit Sekret të Shteteve të Bashkuara, duke arritur në përfundimin se atentati ndaj Donald Trump gjatë fushatës presidenciale të vitit 2024 mund të ishte parandaluar.

Sipas gjetjeve, ngjarja e ndodhur më 13 korrik 2024 në Butler, Pensilvani, ku Trump u plagos në vesh gjatë një tubimi elektoral, u shoqërua me mungesë koordinimi dhe dështime në komunikim mes strukturave të sigurisë. Në atë sulm humbi jetën një spektator, ndërsa autori u neutralizua nga snajperët e policisë.

Raporti thekson se autori i identifikuar si Thomas Matthew Crooks ishte vërejtur mbi një çati me armë në dorë rreth dy minuta para se të hapte zjarr, por ky informacion nuk i është transmetuar në kohë ekipit që mbronte kandidatin presidencial.

Një tjetër problem i evidentuar lidhet me përdorimin e një droni nga autori për monitorimin e zonës së tubimit, i cili nuk është identifikuar për shkak të mungesës së trajnimit të duhur dhe problemeve teknike në sistemet e vëzhgimit.

Auditimi vëren gjithashtu se perimetri i sigurisë nuk ishte i mjaftueshëm dhe disa zona të pambrojtura ishin sinjalizuar më herët edhe nga autoritetet lokale, por nuk janë marrë masat e nevojshme. Po ashtu, mungesa e një qendre të unifikuar komunikimi mes Shërbimit Sekret dhe policisë lokale ka ndikuar në vonesa kritike në reagim.

Një raport i dytë shton se Shërbimi Sekret përballet me mungesë të theksuar personeli, me një nivel vakantësh që ka arritur mesatarisht 21.4% në vitet fiskale 2023 dhe 2024. Kjo situatë ka detyruar agjencinë të mbështetet në orë të zgjatura pune dhe bashkëpunim me agjenci të tjera ligjzbatuese.

Në reagimin e tij, Shërbimi Sekret ka deklaruar se ka ndërmarrë masa për përmirësimin e sistemeve të sigurisë dhe rekrutimit, duke theksuar se aktualisht është “më i fortë dhe më i përgatitur” se në vitin 2024.