“Nuk po kërkojmë që Europa të jetë vasale”. Me këtë fjali të drejtpërdrejtë, sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio dërgoi mesazhin e administratës së presidentit Donald Trump pas Konferencës së Sigurisë në Mynih.

Duke folur nga Bratislava të dielën, Rubio tha se SHBA e mirëpret një Europë që ul “varësinë” nga fuqia amerikane dhe se Uashingtoni synon partneritet, jo kontroll. “Duam të jemi partneri juaj. Duam të punojmë me Europën. Duam të punojmë me aleatët tanë”, u shpreh ai.

Një ditë më parë, në Mynih, Rubio u kishte bërë thirrje europianëve të mbrojnë “civilizimin perëndimor” dhe të mbështesin vizionin e presidentit Donald Trump për një “rinovim” të rendit botëror.

Të dielën ai shtoi: “Duam që Europa të jetë e fortë”, duke theksuar se Europa dhe SHBA “i përkasin njëra-tjetrës”.

Por përgjigjja nga Brukseli nuk vonoi. Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, reagoi ndaj asaj që u perceptua si kritikë amerikane ndaj Europës. “Europa ‘ëoke’, dekadente, nuk po përballet me zhdukje civilizuese”, tha ajo.

Kallas theksoi se mesazhi që u dëgjua është se Amerika dhe Europa “kanë qenë të ndërthurura në të kaluarën dhe do të jenë edhe në të ardhmen”, por pranoi se “nuk biem dakord për çdo çështje, dhe kjo do të mbetet kështu”.

Në fund, ajo lëshoi një tjetër sinjal politik: “Ka një nevojë urgjente që Europa të rimarrë iniciativën e saj”.