
Sot mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut. Votimi bëhet në 44 komuna dhe qytetin e Shkupit.
Të drejtë vote në 2481 qendra votimi kanë 1.353.990 votues. Këto janë zgjedhjet e shtatë lokale për kryetarë dhe këshilltarë që zgjidhen në 80 komuna dhe Bashkinë e Shkupit.
Në rrethin e parë u zgjodhën 32 kryetarë komunash, si dhe anëtarë të këshillave të komunave dhe Bashkisë së Shkupit.
Në një vendvotim (0543) në Dibër të Madhe do të përsëritet votimi për kryetar dhe këshill, ndërsa për anëtarët e këshillit do të rivotohet në vendvotimin 2957/1 në Shuto Orizarë. Gjykata Administrative anuloi votimin në këto dy qendra votimi për votimin në rrethin e parë të zgjedhjeve të 17 tetorit.
Nuk do të votohet për kryetar komune në Mavrovë-Rostushë dhe në Qendër Zhupë, sepse nuk është plotësuar pragu ligjor për votim në rrethin e parë të zgjedhjeve për të marrë së paku një të tretën e votuesve të regjistruar në Listën zgjedhore. Në orën 19:00 mbyllen qendrat e votimit.